Shkup, 17 maj, Zhurnal.mk – VLEN në një komunikat për media ka deklaruar se është në përfundim të zgjidhjes së çështjes së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe, duke theksuar se kjo e drejtë është mbështetur vazhdimisht nga ky subjekt politik.
Në reagimin publik, VLEN thekson se kërkesa për mundësimin e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe është legjitime dhe se nuk është dashur të mbetet e pazgjidhur për kaq shumë vite.
Nga VLEN akuzojnë Bashkimi Demokratik për Integrim për neglizhencë gjatë periudhës sa ishte në pushtet, duke theksuar se për 22 vite ka pasur në dispozicion të gjitha mekanizmat institucionalë, por nuk ka arritur të zgjidhë këtë çështje.
“Ky problem ka emër dhe mbiemër politik – BDI”, thuhet në reagimin e VLEN-it, nga ku shtojnë se gjatë qeverisjes së kaluar janë lënë të pazgjidhura edhe çështje të tjera që, sipas tyre, tashmë po trajtohen nga qeveria aktuale.
VLEN përmend si shembuj zgjidhjen e çështjes së licencave të mjekëve, edukatoreve dhe miratimin e ligjit për medresantët, duke theksuar se me të njëjtin seriozitet po punohet edhe për provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.
VLEN shprehet se respekton protestat e paralajmëruara lidhur me këtë çështje, por kundërshton, siç thuhet në reagim, “tentimet e BDI-së për instrumentalizimin e tyre dhe përdorimin si mbulesë për dështimet 22-vjeçare”.
Nga VLEN theksojnë se procesi është duke u trajtuar me përgjegjësi dhe seriozitet dhe se zgjidhja pritet së shpejti.
