Raporti i SIGMA-s: Shqipëria konsolidon reformat

Nga D. V.
382 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 5 maj, Zhurnal.mk – SIGMA, një iniciativë e përbashkët e OECD dhe Bashkimit Europian për përmirësimin e qeverisjes dhe menaxhimit, në raportin e saj të fundit vlerëson se në aspekte kyçe, Shqipëria spikat me praktikat më të konsoliduara.

Një nga elementët e dallueshëm lidhet me rolin e ministrave të shtetit. Ndryshe nga vendet e rajonit, Shqipëria, nënvizon raporti, ka një rol të përcaktuar qartë të ministrave të shtetit, me mision dhe funksione të detajuara.

Po ashtu, raporti thekson rolin unik të zëvendësministrave në Shqipëri. Ndërsa në shumë vende ata mbeten figura kryesisht politike, në Shqipëri, sipas raportit, ata funksionojnë si menaxherë politikash, duke drejtuar fusha specifike dhe duke ushtruar mbikëqyrje mbi njësitë përkatëse.

Rezultat pozitiv shënohet edhe në treguesin e nivelit të pagave për sekretarët e përgjithshëm në ministri. Shqipëria, citohet në raport, renditet e para në rajon me 4.4% të PBB-së për frymë, ndërkohë që në vende të tjera si Maqedoninë e Veriut dhe Serbi variojnë në 1.9% dhe 2.1%.

Në drejtim të koordinimit ndërinstitucional, Shqipëria evidentohet si një nga vendet me praktikat më të konsoliduara. Mbledhjet javore të sekretarëve të përgjithshëm janë të institucionalizuara, ndryshe nga shumica e vendeve të rajonit ku këto takime zhvillohen 1-2 herë në vit.

Raporti evidenton gjithashtu se Shqipëria ka performancën më të mirë në fushën e konsultimit publik për projektligjet. Praktikat përfshijnë forma të ndryshme konsultimi përtej atij me shkrim, respektimin e afateve minimale, raportimin mbi rezultatet dhe publikimin online të raportit të rezultateve, trajtimin në raport të komenteve të papranuara ose pjesërisht të pranuara, si dhe publikimin e të gjithë dokumenteve mbështetëse përkatëse, bashkë me projektligjin në konsultim.

Raporti vë në dukje edhe faktin se Shqipëria ka numrin më të ulët të ministrive jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë.

Gjetjet e SIGMA tregojnë se Shqipëria ka ndërmarrë veprime konkrete në drejtim të modernizimit të administratës dhe qeverisjes, duke ndërtuar mekanizma më funksionalë, më transparentë dhe më të koordinuar.

artikuj të ndërlidhura

error: Përmbajtja është e mbrojtur!!

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër