Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), ka publikuar raportin vjetor për vitin 2025.
Sipas raportit, grupet kriminale shqiptare vijojnë të jenë pjesë e rrjeteve ndërkombëtare të krimit, duke u përfshirë kryesisht në trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe aktivitete të tjera të paligjshme që shtrihen përtej kufijve të vendit.
Në raport evidentohet në vlerë e lartë e pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara.
“Për vitin 2025, vlera totale e aseteve të sekuestruara dhe konfiskuara arrin afërsisht rreth 45.4 milionë euro. Kjo shifër përfshin asetet e sekuestruara dhe konfiskuara sipas ligjit Anti-Mafia, si dhe sipas Kodit të Procedurës Penale.
“Nga totali i sipërpërmendur, rreth 1.91 milionë euro përfaqësojnë vlerën e aseteve të konfiskuara, ndërsa pjesa tjetër, prej rreth 43.49 milionë euro, është vlera e aseteve të sekuestruara. Në vlerën e aseteve të sekuestruara përfshihet dhe sekuestrimi i kriptovalutave të llojit TETHER, USDT, me vlere ekuivalente prej 14.5 milionë dollarë ose rreth 12.4 milionë euro”, thuhet në raportin e SPAK.
Sa i përket luftës kundër krimit të organizuar, sipas raportit në vitin 2025, numri i çështjeve dhe hetimeve të regjistruara ka qenë më i ulët sesa në vitin 2024. Ndërsa, çështjet e përfunduara kanë shënuar një rritje me 3.4%.
“Në luftën kundër krimit të organizuar, gjatë vitit 2025, edhe pse numri i çështjeve dhe hetimeve në regjistruara është më i ulët krahasuar me vitin 2024, çështjet dhe hetimet e përfunduara kanë shënuar një rritje me 3.4 përqind (nga 58 në 2024, në 60 në vitin 2025). Ky tregues konfirmon vijimësinë e një trendi rritës (gati të dyfishuar), që dëshmon përmirësim të qëndrueshëm krahasuar me të dhënat statistikore të viteve 2022 dhe 2023.
“Këto të dhëna tregojnë rritjen e angazhimit të SPAK gjatë vitit 2025, për përfundimin e hetimeve të çështjeve të lidhura me krimin e organizuar, duke reflektuar një qasje të vendosur ndaj veprave penale, që lidhet me grupet kriminale të strukturuara si dhe luftën ndaj krimit të organizuar. Të dhënat krahasuese për periudhën 2024 dhe 2025 tregojnë gjithashtu një rritje me 11.5 përqind të personave nën hetim dhe 36.6 përqind të personave të dërguar në gjykatë, çka tregon një orientim më cilësor të hetimeve drejt strukturave më të gjera dhe më të organizuara kriminale. Nga ana tjetër, rritja e pezullimeve me 93.7 përqind dhe ulja e lehtë e çështjeve të dërguara në gjykatë me 14.3 përqind evidentojnë sfidat procedurale dhe nivelin e kompleksitetit të çështjeve. Megjithatë, në tërësi treguesit paraqesin një qasje më të thelluar dhe më të fokusuar të ndjekjes penale”, thuhet në raport.
Sa i përket luftër kundër korrupsionit ka një rritje me 17.7 përqind të hetimeve të reja.
“Në vitin 2025, SPAK ka vijuar të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, duke regjistruar një rritje prej 17.7 përqind të çështjeve apo hetimeve të reja dhe 12.2 përqind të çështjeve apo hetimeve të përfunduara. Ky aktivitet i shtuar reflektohet në dërgimin në gjykatë të 24 procedimeve me 147 të pandehur, për korrupsion jo të nivelit të lartë, si dhe 10 procedime me 13 të pandehur për korrupsion të nivelit të lartë. SPAK ka vijuar me vendosmëri hetimin e zyrtarëve të lartë, me 6 procedime të reja dhe 16 personave nën hetim. Nga 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim gjatë vitit 2025, mbi 50 përqind e tyre, (18) janë dërguar në gjykatë me kërkesë për gjykim, ndërsa 10 prej tyre janë dënuar me vendim të formës së prerë, duke treguar qëndrueshmëri dhe efektivitet në ndjekjen penale në nivelet më të larta të administratës publike. Sipas të dhënave statistikore, evidentohet niveli i lartë i besimit të publikut tek SPAK, Në 2025, hetimet e nisura me kallëzim nga shtetas zënë rreth 33.5 përqind të totalit të procedimeve të filluara gjatë vitit 2025”, thuhet më tej në raport.
Në lidhje me masat e sigurimit, SPAK thekson se ka aplikuar një politikë penale në përputhje me standardet ndërkombëtare.
“Kështu, për llojin e kërkesave të masave të sigurimit rezulton se, numri i të paraburgosurve me kërkesë nga SPAK, që ndodhen pranë Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) përbën vetëm rreth 12% të totalit të paraburgosurve. Ndërkohë, numri i të burgosurve, që janë dënuar me vuajtje dënimi me burg nga hetimet e SPAK përbën vetëm rreth 11% të numrit total të tyre”, thuhet në raport.
Gjithashtu, sipas raportit të SPAK “ka një rënie me rreth 53,4%, të përdorimit të masës “arrest me burg” dhe zhvendosje drejt masave alternative”.
Sipas SPAK në vitin 2025, rezultojnë 30 zyrtarë e ish-zyrtarë të proceduar penalisht.
“Për periudhën 01.01.2020 31.12.2025, janë regjistruar gjithsej 81 persona zyrtarë dhe ish zyrtarë të lartë. Brenda këtij numri, 11 persona janë regjistruar secili në dy procedime penale të ndryshme, ndërsa 2 persona janë regjistruar secili në tre procedime të ndryshme, çka nënkupton se, numri i regjistrimeve sipas procedimeve është më i lartë se, numri i individëve realë për shkak të përsëritjes së disa personave në më shumë se një procedim.
“Vetëm për vitin 2025, janë regjistruar 19 zyrtarë të lartë, nga të cilët 2 persona janë regjistruar secili në dy procedime të ndryshme, duke reflektuar të njëjtin dallim ndërmjet individëve dhe regjistrimeve statistikore. Gjatë periudhës 1.1.2025-31.12.2025, duke përfshirë procedimet e mbartura dhe ato të reja, janë hetuar 27 procedime penale, në të cilat janë përfshirë 30 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë. Këtu përfshihet:
“1 zëvendëskryeministër, 1 ish-kryetar Kuvendi, 1 ish-ministër, 6 ish-deputetë, 6 kryetarë bashkie, 5 ish-kryetarë bashkie, 2 ish-gjyqtarë (njëri i regjistruar në dy procedime të ndryshme), 1 ish-prokuror, 1 kryetar i Komisionit të Prokurimit Publik, 1 kryetar i komanduar bashkie, 1 drejtor, 4 ish-drejtorë (tre prej tyre të regjistruar secili në dy procedime të ndryshme)”, thuhet në raport.
Në raportin për vitin 2025 theksohet se “SPAK vazhdon forcimin e mbajtjes të të dhënave për hetimet, ndjekjet penale dhe dënimet e formës së prerë në të gjitha fushat e krimit të rëndë dhe të organizuar, përfshirë trafikun e drogës, pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit, përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm me shtetet anëtare të BE-së dhe agjencitë e Bashkimit Evropian, si dhe duke rritur kapacitetet për parandalimin e krimit të organizuar dhe duke siguruar përafrim të mëtejshëm me acquis të BE-së, veçanërisht në lidhje me kriminalizimin e pastrimit të parave dhe luftën kundër abuzimit dhe shfrytëzimit seksual të fëmijëve, online dhe offline”.
SPAK gjithashtu ka identifikuar edhe disa sfida kryesore në funksionimin e institucionit, që kërkojnë ndryshime ligjore të mundshme në Kushtetutë, për të garantuar cilësinë dhe mbarëvajtjen e veprimtarisë së institucionit.
Konkretisht “sfidat në hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit të zyrtarëve të lartë; Statusi i prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit; Këshilltarët ligjor pranë SPAK; Bashkëpunimi me institucionet publike; Njësia e analizës; Specialisti Ndërlidhës; Shqyrtimi i kërkesave nga autoritetet e huaja; Kompetenca e Gjykatave të Posaçme; Ekstradimi/deportimi i shtetasve shqiptarë”.
