Rasti “Bellanoca – Baron”: Nis ekstradimi, vazhdon gjykimi

Nga Xh M
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 5 shtator Zhurnal.mk – Ministria e Drejtësisë konfirmon për Alsat se ka filluar procedura e ekstradimit të 26-vjeçarit Musa Xhavit dhe 34-vjeçarit Senafi Nuredini, dy shtetasve të cilët paraprakisht u arrestuan në Shqipëri.

Siç mëson Alsat, vijon procesi i përkthimit të dokumentacionit, megjithatë nuk mund të dihet me saktësi sa mund të zgjasë ekstradimi duke e pasur parasysh se procedura është komplekse dhe në masë të madhe varet edhe nga efikasiteti i autoriteteve shqiptare.

Xhavit dhe Nuredini u kapën më 10 korrik në Durrës pas një operacioni ndërkombëtar. Ata dyshohen për vepra të rënda penale, përfshirë dhe vrasje. Në momentin e arrestimin, autoritetet policore kishin gjetur dokumente identifikimi të falsifikuara me qëllim për t’iu shmangur autoriteteve të sigurisë dhe drejtësisë.

Xhavit dyshohet për vrasjen e oficerit ushtarak Agim Muharremi në Batincë të Shkupit, në korrik të vitit 2025. Megjithatë, Xhavit dyshohet edhe për një vrasje tjetër në Batincë si pjesë e operacionit të klanit “Bellanoca-Baron”. Paraprakisht ka qenë në burg për armëmbajtje pa leje.

Pjesë e këtij grupi dyshohet të jetë edhe Nuredini, i cili gjithashtu kërkohet për vepra të rënda përfshirë vrasje, tentim vrasje, shoqërim kriminal, armëmbajtje pa leje e të tjera.

Ndërkohë grupi Bellanoca gjatë periudhës së kaluar ka qenë në shënjestër të autoriteteve të sigurisë dhe hetimit. Pas procedurës gjyqësore e cila zgjati mbi një vit, gjykata dënoi personat e parë të grupit. Njërin me 20 vjet, ndërsa dy të tjerët me 11 dhe 4 vjet burg. Kundër grupit “Bellanoca” vazhdon gjykimi edhe për anëtarë të tjerë të cilët akuzohen për 8 vrasje, shoqërim kriminal, zhvatje, kërcënime, djegie të objekteve dhe veturave. /Alsat.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër