Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, është dënuar me dy vjet burgim me kusht dhe 6 mijë euro gjobë.
Vendimi është marrë pasi Kelmendi ka arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranimin e fajësisë, raporton Sinjali.com.
Këngëtari Gjesti është paraqitur sot në gjykatë, në kuadër të çështjes gjyqësore që lidhet me mosmarrëveshjet e tij me pronarin e kompanisë “Onima”, Erkand Shabani.
Gjatë seancës, mbrojtja e Gjestit ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje për pranimin e fajësisë.
Kërkesa është kundërshtuar fillimisht nga pala e dëmtuar, por marrëveshja është pranuar nga Gjykata.
Ndryshe, Gjesti ishte arrestuar më 11 mars për rastin në fjalë, nën dyshimin për tri vepra penale: “Armëmbajtje pa leje”, “Kanosje” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Para disa muajve ishin publikuar edhe pamjet që tregonin momentin kur këngëtari Besart Kelmendi, i njohur me emrin artistik Gjesti, hyri në ambientet e shtëpisë muzikore Onima, një ngjarje që kishte bërë bujë të madhe në media dhe opinionin publik.
