Real Madridi ka zgjedhur dy alternativa befasuese nëse dështon marrëveshja për Mourinhon

Nga D. V.
304 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Real Madridi kanë vendosur dy alternativa befasuese në rast se nuk arrijnë ta emërojnë Jose Mourinhon si trajnerin e ri.

Raportohet se Mourinho ka qenë në bisedime me Realin prej javësh për të zëvendësuar Alvaro Arbeloan në fund të sezonit aktual.

Trajneri portugez, i cili aktualisht është në krye të Benfikës, e ka mohuar disa herë publikisht se ka folur me presidentin e klubit, Florentino Perez, por sipas BBC Sport, ai tani ndodhet në “negociata finale” për t’u rikthyer në “Bernabeu”, në atë që do të ishte periudha e tij e dytë në krye të Real Madridit.

Sipas gazetarit spanjoll Raul Varela, Reali ka identifikuar dy alternativa “të papritura” në rast se negociatat për emërimin e Mourinhos dështojnë papritur.

Njëra prej tyre është legjenda e klubit, Raul, i cili më parë e ka drejtuar skuadrën Castilla për gjashtë vite, nga 2019 deri në 2025.

Spanjolli u largua plotësisht nga klubi pasi u anashkalua për postin e trajnerit të Realit, në favor të Xabi Alonsos verën e kaluar.

Gjatë drejtimit të tij, Castilla humbi dy herë në “play-off”-et për ngjitje nga kategoria e tretë.

Alternativa e dytë, ndërkohë, është trajneri amerikan Pellegrino Matarazzo, rritja e shpejtë e të cilit në hierarkinë e futbollit bëri që ai të emërohej trajner i Real Sociedadit vitin e kaluar.

48-vjeçari e udhëhoqi Sociedadin drejt triumfit në Kupën e Mbretit më herët këtë vit, duke u bërë amerikani i parë që fiton një trofe në njërën nga pesë ligat kryesore të Europës.

Sociedadi aktualisht ndodhet në vendin e tetë në La Liga dhe është në rrugën e duhur për t’u kualifikuar në Ligën e Konferencës sezonin e ardhshëm, megjithëse mund të sigurojë edhe një vend në Ligën e Evropës, në varësi të rezultateve në ndeshjet e tjera.

Varela pretendon se Matarazzo shihet si një “opsion modern” jo nga Perez, por nga një prej “këshilltarëve të tij më të besuar”.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër