Reforma territoriale, Bardhi: Deputetët e PS-së të dëgjojnë zërin e qytetarëve

Nga D V
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 05 tetor, Zhurnal.mk – Kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, u kërkoi sot deputetëve të Partisë Socialiste që të dëgjojnë zërin e qytetarëve në lidhje me reformën territoriale.

Sipas tij, deputetët socialistë në vend që të dëgjojnë zërin e qytetarëve në Kuvend, rrezikojnë të kthehen në zëdhënës të vendimeve politike të kryeministrit Edi Rama.

“Divjaka, Patosi, Rrogozhina, Maliqi, Dimali, Cërriku, Përrenjasi, Belshi, Klosi, Poliçani, Memaliaj, Fushë-Arrëzi, Këlcyra dhe Libohova janë në tryezën e kësaj reforme për t’u shkrirë. Por nga deputetët e PS-së që kanë marrë mandatin për të përfaqësuar qytetarët e këtyre bashkive, heshtja është ajo që bie më shumë në sy. Ku është zëri i tyre? Ku është përgjegjësia ndaj qytetarëve që i kanë votuar? Ku është detyrimi për të mbrojtur interesin e komuniteteve që përfaqësojnë?”, tha ai.

Bardhi theksoi se “nëse një deputet hesht kur vendoset për fatin e bashkisë që ai ose ajo pretendon se përfaqëson, atëherë qytetarët kanë të drejtë të pyesin: kë përfaqëson realisht ky deputet?”.

“Mandati parlamentar nuk është pronë e partisë, është mandat i qytetarëve”, theksoi ai.

Ai shtoi se qytetarët meritojnë deputetë që flasin, kundërshtojnë dhe mbajnë përgjegjësi, jo deputetë që heshtin kur vendimet prekin drejtpërdrejt komunitetet që i kanë zgjedhur.

“Kjo është çështje përfaqësimi. Kjo është çështje përgjegjësie. Dhe përballë qytetarëve, heshtja nuk mund të fshihet pas disiplinës partiake”, tha Bardhi.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër