Rënia e inflacionit, çfarë do të thotë për xhepat e qytetarëve?

Nga I.A
572 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 19 gusht, Zhurnal.mk – Inflacioni është një nga treguesit më të ndjeshëm për jetën e përditshme të qytetarëve. Kur çmimet rriten me ritme të shpejta, fuqia blerëse e të ardhurave bie me fjalë të tjera me të njëjtat para blejmë më pak. Kur inflacioni bie, ndodh e kundërta paratë që kemi në xhep marrin më shumë vlerë relative, sepse çmimet nuk rriten me të njëjtin ritëm, shkruan Zhurnal.

Çfarë nënkupton kjo për qytetarët?

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, inflacioni vjetor në korrik ka rënë në 2,3%, ndërsa para dy vitesh ishte 4,5%. Koalicioni VLEN e ka kurorëzuar këtë si sukses të qeverisjes, duke theksuar se stabilizimi i çmimeve është rezultat i masave për mbrojtjen e standardit të qytetarëve ndalimi i praktikave të padrejta tregtare, ulja e akcizës së derivateve dhe kontrollet e tregut.

Në fakt kjo do të thotë më pak presion mbi buxhetin familjar pasi rënia e inflacionit nënkupton se shpenzimet e përditshme nuk rriten me të njëjtin intensitet si më parë. Një familje që shpenzon 100 euro në muaj për ushqim, sot përballet me rritje më të vogël të kostos krahasuar me vitet e kaluara.

Rritje e fuqisë blerëse shfaqet menjëherë pasi me të njëjtat të ardhura, qytetarët mund të blejnë më shumë produkte ose të kursejnë një pjesë të vogël të buxhetit. Nuk mungon edhe stabiliteti psikologjik ku inflacioni i ulët krijon ndjenjën e sigurisë, sepse qytetarët nuk presin rritje të papritur të çmimeve.

Por a mjafton vetëm inflacioni i ulët?

Kjo është pyetja thelbësore, inflacioni i ulët është një kusht i domosdoshëm, por jo i mjaftueshëm për përmirësimin e standardit të jetesës. Nëse të ardhurat mbeten të ulëta, qytetarët nuk e ndiejnë realisht lehtësimin. Prandaj, krahas stabilitetit të çmimeve, nevojiten edhe veprime të tjera.

Si rritje e pagave dhe pensioneve për të reflektuar produktivitetin dhe koston reale të jetesës. Krijim i vendeve të punës siç përmend VLEN, Plani Operativ për Punësim me 40 milionë euro është një hap, por mbetet për t’u parë sa efektivisht do të zbatohet.

Mbështetje për bizneset e vogla që janë më të ekspozuara ndaj luhatjeve të tregut. E shumë veprime të tjera në të njëjtën kohë për tu ndjerë lehtësimi në xhepat e qytetarëve.

Megjithatë, rënia e inflacionit në 2,3% është një lajm pozitiv dhe një tregues se ekonomia po stabilizohet. Por qytetarët do ta ndiejnë këtë përmirësim vetëm nëse shoqërohet me rritje të të ardhurave dhe mundësi reale për punësim. Në të kundërt, inflacioni i ulët mbetet një shifër statistikore, e cila nuk përkthehet automatikisht në më shumë ushqim në tryezë apo më shumë kursime në bankë. /Zhurnal.mk

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër