Shkup, 16 mars, Zhurnal.mk – Rilind Dauti(1995), një emër i njohur i fushës së mendimi, u akordua me titullin Doktor Shkence në Shkencat Politike nga Universiteti i Evropës Juglindore.
Ai sot në hapësirat e universitetit në Shkup, në prezencën e shumë mysafirëve, familjarëve dhe përfaqësuesve të jetës publike e akademike kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, të biznesit Xhemail e Hamim Dauti nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore, botues Ismail Sinani, revista Shenja, Azam Dauti, SHB Shkupi… dhe familjarëve, mbrojti disertacionin në temën “Maqedonia konsocionaliste: teoria, praktika, e ardhmja”.
Siç u shprehën anëtarët e komisionit ky punim, paraqet një studim serioz që gjurmon origjinën e aspekteve konsocionaliste të Maqedonisë shumë kohë para Marrëveshjes së Ohrit (2001), në bashkëpunimin e hershëm të elitave politike të kombësive të Maqedonisë, dhe inspirimet e mundshme për të ardhmen që japin këto dokumente dhe ngjarje dhe me prurjet e reja, mund të jetë referencë edhe për studime tjera në këtë temë.
Ky disertacion, i realizuar nën mentorimin e prof. dr.Ali Pajazitit, përbën një kontribut të radhës në lëmin e politologjisë dhe inkurajim për të rinjtë që të sjellin prurjet e tyre në lëmin akademik përkatës.
Rilind Dauti njihet si një nga opinionistët me ndikim të brezit të ri me tekste analitike që i ka botuar në median në gjuhën shqipe dhe maqedonase, si dhe i punimeve hulumtuese në shumë revista shkencore.
Gjer tani ka botuar edhe dy vepra: njëra “Paradiplomacia në Ballkanin Perëndimor” ndërkaq vepra e dytë është nga fusha e letërsisë, përmbledhja me tregime “Vizitimi i vetvetes”(i ribotuar pastaj si “Vizitë Kipcit”), që solli risi në letërsinë shqiptare, duke u bërë ndër lëvruesit e rrallë të prozës fantastike-shkencore.



