Shkup, 25 janar – Nga e hëna, transportuesit e mallrave do të organizojnë protestë të koordinuar në pikat kufitare të Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, duke përfshirë Serbinë, Bosnjë e Hercegovinën dhe Malin e Zi, duke paralajmëruar bllokim të qarkullimit të automjeteve transportuese.
Shoqata maqedonase e transportit “Makam-trans” tha në një deklaratë se protesta është kundër sistemit të ri për regjistrimin e ditëve të qëndrimit të profesionistëve të transportit në zonën Shengen.
Sipas paralajmërimit, qarkullimi i mallrave do të ndalohet, ndërsa automjetet e udhëtarëve dhe autobusët do të lëvizin pa ndërprerje.
Organizatorët paralajmërojnë që protesta mund të zgjasë deri në shtatë ditë, me mundësi të ndërpritet më herët nëse arsyet për të cilat është organizuar tejkalohen.
Sipas tyre, protesta ka për qëllim tërheqjen e vëmendjes për pasojat afatgjata të regjistrimit të ditëve të qëndrimit të shoferëve profesionistë në zonën Shengen (rregulla 90/180 ditë), gjë që, sipas transportuesve, mund të çojnë në rritje të kostove të transportit, pengesa logjistike dhe ndikim negativ mbi ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

