Prishtinë, 30 prill, Zhurnal.mk – Dogana e Kosovës ka ndaluar një rast të tentimit për futje të mallrave të padeklaruara në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës.
Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët doganorë, në kuadër të kontrolleve të rastësishme, kanë ndaluar një udhëtar nga kanali i gjelbër për kontroll të bagazhit përmes skanerit. Pas analizës së pamjeve të skanerit, është kryer kontroll i detajuar i bagazhit, ku janë gjetur rreth 100 copë produkte të padeklaruara.
Për mosdeklarim të mallrave që udhëtari kishte në bagazh, në kundërshtim me Nenin 244 të Kodit Doganor të Republikës së Kosovës, rasti është trajtuar si kundërvajtje doganore.
Dogana e Kosovës ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin e kontrabandës dhe në zbatimin e ligjeve doganore, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe sigurimit të një tregu të rregullt dhe të drejtë.
