Rriten të hyrat nga taksat për mbrojtjen e mjedisit, por nuk ka pasqyrë të qartë se ku janë efektet

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 tetor Zhurnal.mk – Shteti mbledh mbi 200 milionë euro në vit nga taksat për mbrojtjen e mjedisit, por sipas të dhënave të fundit të Entit Shtetëror të Statistikave, pjesa më e madhe e këtyre të hyrave vjen nga detyrimet që lidhen me energjetikën dhe transportin, ndërsa pjesa më e vogël nga instrumentet e bazuara në parimin “ndotësi paguan”.

Për herë të parë në vitin 2018, shuma e taksave të mbledhura për mbrojtjen e mjedisit kaloi pragun prej 200 milionë eurosh, ndërsa në vitin 2024, për herë të parë u mblodhën mbi 250 milionë euro nga detyrimet për energjentët, transportin dhe ndotjen.

Edhe pse në këtë kategori taksash përfshihen edhe detyrimet për shfrytëzimin e burimeve natyrore, deri më tani nuk ka të dhëna për të hyrat tatimore nga burimet natyrore, shfrytëzimi i të cilave çon në konsumimin e tyre.

Në vitin 2024, pjesën më të madhe të taksave mjedisore e përbënin taksat për energjentët me 59.5 për qind, pasuar nga taksat për transportin me 39.6 për qind dhe taksat për ndotjen me vetëm 0.9 për qind.

Pjesëmarrja e taksave mjedisore në Prodhimin e Brendshëm Bruto në vitin 2024 ishte 0.9 për qind.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, taksat e lidhura me mjedisin kanë një pjesëmarrje të vogël, por relativisht të qëndrueshme prej 6 deri në 7 për qind në të hyrat e përgjithshme tatimore të vendit dhe janë në kuadër të mesatares evropiane, e cila është rreth 6.25 për qind.

Analiza e strukturës së taksave mjedisore tregon se bartësit kryesorë të të hyrave janë taksat për energjentët dhe transportin, ndërsa taksat për ndotjen dhe shfrytëzimin e burimeve natyrore kanë një pjesëmarrje pothuajse të papërfillshme.

Brenda kategorive kryesore, të hyrat nga energjentët vazhdimisht janë pothuajse 50 për qind më të larta krahasuar me të hyrat nga sektori i transportit.

Nëse analizohet dekada e fundit, vërehet rritje e të hyrave të përgjithshme nga taksat që lidhen me mbrojtjen e mjedisit, në total prej 55.28 për qind. Një pjesë e këtyre të hyrave tatimore duhet të përdoret për zhvillim të qëndrueshëm, tranzicion të gjelbër dhe zbatimin e parimit “ndotësi paguan”.

Pikërisht bazat për detyrimet që lidhen me ndotjen e shkaktuar duhet të zhvillohen më tej, për mbrojtje më të madhe të mjedisit dhe rritje të përgjegjësisë së ndotësve, si dhe për ndërmarrjen e masave sistematike për monitorim, analiza dhe sanksione.

Pjesa më e madhe e këtyre mjeteve, rreth 95 për qind e shumës së përgjithshme, që vijnë nga taksat për energjentët, përkatësisht akcizat e karburanteve, dhe taksat e transportit, si regjistrimi i automjeteve dhe pagesat e autostradave, kanë karakter të theksuar fiskal.

Këto mjete derdhen në buxhetin qendror dhe përdoren për financimin e nevojave të përgjithshme buxhetore, si pagat në administratën publike, pensionet, transferet sociale dhe shpenzimet administrative, njësoj si TVSH-ja apo tatimi personal.

Raportet kombëtare dhe ndërkombëtare, përfshirë gjetjet e Entit Shtetëror të Revizionit dhe raportet e Bashkimit Evropian për përparimin e vendit, vazhdimisht konstatojnë se politikat shtetërore për mbrojtjen e mjedisit vuajnë nga mungesa e planifikimit strategjik dhe treguesve të matshëm të suksesit.

Vetë “tranzicioni i gjelbër dhe i drejtë” në vend kryesisht mbështetet në donacione të huaja, fondet IPA të BE-së, kreditë ndërkombëtare dhe huatë e favorshme nga bankat zhvillimore, si BERZH-i apo Banka Botërore dhe institucione të tjera financiare për mbështetjen e rritjes së qëndrueshme, ndërsa shumë më pak në rishpërndarjen e të hyrave të veta të mbledhura përmes taksave mjedisore.

Gjithashtu, nuk janë realizuar as iniciativat për krijimin e të ashtuquajturit Fond i Gjelbër, i cili do të financohej drejtpërdrejt përmes këtyre detyrimeve dhe do të përdorej për zhvillim të qëndrueshëm socio-ekonomik.

Për këtë arsye, është e vështirë të “matet” se cilat janë efektet dhe përmirësimet e drejtpërdrejta në mbrojtjen e mjedisit, uljen e ndotjes dhe forcimin e tranzicionit të drejtë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër