Rritet çmimi i naftës, i afrohet 100 dollarëve për fuçi mes konfliktit SHBA-Iran

Nga D V
9 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Uashington, 9 shtator, Zhurnal.mk – Çmimi i naftës u rrit sërish sot në orët e para të tregtimit, pasi sulmet e reja mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit, në Gjirin Persik rritën shqetësimet për furnizimin me naftë dhe burime të tjera energjetike.

Çmimi i naftës “Brent”, që përdoret si një nga treguesit kryesorë të çmimeve të naftës në botë, për kontratat që do të dorëzohen në nëntor, u rrit me më shumë se 1,1%, duke arritur në 99,04 dollarë për fuçi.

Më herët, çmimi kishte arritur në 99,68 dollarë.

Nafta “Brent” është rritur me më shumë se 60%, që nga fillimi i këtij viti dhe po i afrohet nivelit prej 100 dollarësh për fuçi, për herë të parë që nga fundi i korrikut.

Edhe produktet e përpunuara të naftës, si nafta për automjete dhe industri, janë shtrenjtuar edhe më shumë.

Rritja e çmimeve lidhet me përhapjen e konfliktit në Lindjen e Mesme drejt Detit të Kuq, pranë Arabisë Saudite, ndërsa paralelisht vazhdon edhe lufta mes Rusisë dhe Ukrainës.

Edhe çmimet e gazit natyror në Evropë, u rritën për të katërtën ditë radhazi, pas sulmeve të fundit amerikane.

Ngushtica e Hormuzit, një pikë kyçe për furnizimin me energji

Përplasjet mes SHBA-së dhe Iranit për kontrollin e Ngushticës së Hormuzit janë përshkallëzuar gjatë ditëve të fundit.

Ngushtica është një rrugë detare jashtëzakonisht e rëndësishme për transportin e naftës, gazit natyror të lëngshëm dhe plehrave bujqësore.

Çdo pengesë në këtë zonë mund të ndikojë drejtpërdrejt në furnizimin dhe çmimet e energjisë në tregjet botërore.

Ushtria amerikane tha se kishte shkatërruar pesë anije cisternë iraniane që transportonin naftë bruto, ndërsa një prej tyre ishte fundosur.

Sipas SHBA-së, veprimet u ndërmorën si kundërpërgjigje ndaj sulmeve iraniane ndaj një anijeje luftarake amerikane.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) tha se ishte kundërpërgjigjur menjëherë me sulme të fuqishme me raketa ndaj Jordanisë, aleate e SHBA-së.

Agjencia shtetërore jordaneze e lajmeve “Petra” raportoi se forcat e armatosura të Jordanisë kishin interceptuar 20 raketa balistike.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër