Rusia nis sulme të reja në Odesa dhe Dnipro

Nga D. V.
369 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Odesa, 18 maj, zhurnal.mk – Të paktën 20 persona mbetën të plagosur si pasojë e sulmeve me dronë dhe raketa të kryera nga Russia ndaj Ukrainës qendrore dhe jugore, njoftuan sot në mëngjes autoritetet ukrainase, vetëm pak orë pasi Moska u godit nga një prej sulmeve më të rënda me dronë ukrainas që nga nisja e luftës.

Në qytetin-port të Odesës në Detin e Zi, dronët goditën një ndërtesë banimi, duke plagosur një djalë 11-vjeçar dhe një burrë 59-vjeçar, sipas zyrtarëve lokalë.

Ndërkohë, në Dnipro, autoritetet raportuan të paktën 18 të plagosur, mes tyre dy fëmijë.

Informacionet nuk mund të verifikohen në mënyrë të pavarur.

Nga ana tjetër, autoritetet ruse deklaruan dje se Ukraina kreu gjatë natës një nga sulmet më të mëdha ndaj rajonit të Moskës, që nga fillimi i pushtimit rus në shkallë të plotë, më shumë se katër vite më parë. Sipas tyre, të paktën tre persona humbën jetën.

Edhe këto raportime nuk kanë mundur të konfirmohen në mënyrë të pavarur.

Megjithatë, numri i viktimave civile dhe dëmet në territorin rus mbeten dukshëm më të ulëta krahasuar me humbjet e mëdha njerëzore dhe shkatërrimet e shkaktuara në Ukrainë nga lufta e nisur nga Moska.

Në Odesa, dronët dëmtuan gjithashtu një sallë mësimore dhe një kopsht fëmijësh, bëri të ditur kreu i administratës ushtarake rajonale, Serhiy Lysak, përmes Telegram-it.

Në qytetin industrial juglindor të Dnipros, çatia e një godine 24-katëshe mori flakë gjatë sulmit, njoftoi guvernatori i rajonit të Dnipropetrovskut, Oleksandr Hanzha.

Sipas tij, u godit edhe një depo ku ruheshin materiale piroteknike, e cila u përfshi nga zjarri. Zjarre të tjera u raportuan në disa zona të qytetit, ndërsa shkalla e plotë e dëmeve mbetet ende e paqartë.

Dnipro dhe Odesa janë shpesh objektiv i sulmeve ruse me raketa dhe dronë të llojeve të ndryshme.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër