Sa përfiton Kosova nga përfaqësimi me Kurtin në samitin e Komunitetit Politik Evropian?

Nga D. V.
438 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Pjesëmarrja e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Jerevan po konsiderohet një hap i rëndësishëm për përfaqësimin ndërkombëtar të vendit, ndonëse jo pa dilema mbi fuqinë e këtij përfaqësimi.

Në këtë forum, që mbledh rreth 50 liderë nga e gjithë Evropa për të diskutuar sfidat kryesore të kontinentit, Kosova po përfaqësohet nga një qeveri në detyrë. Sipas njohësve të diplomacisë, kjo situatë ka si anë pozitive praninë e shtetit në tryeza ndërkombëtare, por njëkohësisht kufizon kapacitetin për vendimmarrje dhe marrëveshje konkrete.

Ish-diplomati Blerim Canaj thekson për KosovaPress se ndonëse në samite të tilla nuk merren vendime obligative, vetë pjesëmarrja ka peshë të madhe diplomatike.

Sipas tij, prezenca e Kosovës në një forum gjithëpërfshirës evropian është e domosdoshme, sidomos në kontekstin kur disa shtete ende nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. Ai shton se samite të tilla ofrojnë mundësi për takime bilaterale dhe multilaterale, të cilat mund të jenë të dobishme për avancimin e interesave shtetërore.

Megjithatë, Canaj vlerëson se fakti që vendi përfaqësohet nga një qeveri në detyrë i bën shtetet e tjera më të rezervuara, pasi mungon një mandat i plotë për të marrë dhe zbatuar marrëveshje.

“Nëse flasim se çka mund të përfitojë Kosova nga një kryeministër në detyrë, e para aty nuk merren vendime që do të jenë obligative, por vetë prezenca është e rëndësishme. Tash për tash Kurti është kryeministër në detyrë dhe absolutisht nuk mund të thuhet se s’ka legjitimitet… A është mirë që është Kosova aty? Po, absolutisht, për shkak se sido që të jetë vetë prezenca e shtetit të Kosovës tregon shumë, për shkak se ne kemi shumë shtete që nuk na kanë njohur. Samiti nuk organizohet vetëm për shtetet e BE-së, por për tërë Evropën dhe mund të ndodhë që aty mund të ketë takim bilateral, por edhe multilateral… Shtetet e tjera janë më të rezervuara pasi ne faktikisht kemi një qeveri në detyrë dhe jo një qeveri fuqiplotë me të cilën mund të bëhen marrëveshjet dhe pastaj të pritet të implementohen. Kjo është e keqja”, deklaron Canaj.

Në anën tjetër, diplomati Albert Prengaj është më kritik ndaj këtij përfaqësimi. Ai për KosovaPress e cilëson atë si të “çalë”, duke argumentuar se mungesa e një qeverie me mandat të plotë dhe mbështetje parlamentare e dobëson seriozitetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, një përfaqësim i tillë mund të perceptohet si i paplotë dhe madje i papërfillshëm në gjuhën diplomatike.

“Një përfaqësim i Kosovës në këtë formë, do të thotë i çalë, ta quaja unë, pasi nuk kemi një qeveri fuqiplotë, legale dhe legjitime, pasi kemi një qeveri në detyrë. Kjo Kosovës fare nuk i shkon për shtati. Kemi parë para disa ditëve edhe reagimin e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, i cili bën kërkesë që Kosova të jetë serioze në përfaqësim dhe mos të ketë përfaqësim i cili çalon dhe nuk ka legjitimitet dhe legalitet. Për këtë arsye mund të quhet në gjuhën diplomatike si përfaqësim i papërfillshëm. Me një qeveri e cila nuk ka prapa saj një Kuvend, legjislaturë që është dalë nga zgjedhjet, nuk mund të përfaqësojë një shtet. Një vazhdimësi e një përfaqësimi kësisoj, shterpë tashmë përgjatë dy viteve, Kosovën e ka hedhur nën hije apo në një situatë të pakëndshme diplomatike në arenën ndërkombëtare”, thekson ai.

Në bazë të njoftimeve qeveritare, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, po zhvillon një sërë takimesh bilaterale dhe multilaterale, përfshirë edhe me kryeministrin armen, Nikol Pashinyan, shteti i të cilit nuk e njeh Kosovën.

Në samit po merr pjesë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Samiti po bashkëkryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, dhe kryeministri armen Nikol Pashinyan, të cilët kanë theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit global.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër