Prishtinë, 4 maj, Zhurnal.mk – Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takim me Kryeministrin e Finlandës, Petteri Orpo, në kuadër të samitit të Komunitetit Politik Evropian që po mbahet në Jerevan.
Gjatë takimit, Kurti e falënderoi homologun finlandez për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës ndaj Kosovës, me theks të veçantë në përkrahjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe avancimin drejt statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian.
“Kurti e falënderoi homologun e tij për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës ndaj Kosovës, në veçanti për përkrahjen e fuqishme në procesin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe për mbështetjen për avancimin drejt marrjes së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.
Po ashtu, kryeministri në detyrë shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e Finlandës në luftimin e dezinformimit.
“Kurti shprehu mirënjohjen edhe për bashkëpunimin dhe ndihmën e Finlandës në luftimin e dezinformimit, duke e cilësuar atë si element kyç për mbrojtjen e hapësirës demokratike dhe informimit publik të saktë”, theksohet më tej.
Në takim u diskutua edhe përvoja e Finlandës në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, model që tashmë është miratuar edhe nga Qeveria e Kosovës.
“Gjatë takimit u veçua përvoja e Finlandës në konceptin e mbrojtjes gjithëpërfshirëse, si një model i avancuar i organizimit të shtetit dhe shoqërisë përballë sfidave të sigurisë, model ky që ka miratuar edhe Qeveria e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Në përmbyllje të takimit, Kurti dhe Orpo riafirmuan gatishmërinë për thellimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të interesit të përbashkët.
