Tiranë, 21 maj, Zhurnal.mk – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, deklaroi sot në Kuvend se spitali bashkiak i Lushnjës është pjesë e programit kombëtar të investimeve në infrastrukturën spitalore, duke theksuar se shërbimet për qytetarët vijojnë normalisht gjatë procesit të rikonstruksionit.
Gjatë interpelancës së kërkuar nga deputeti Saimir Korreshi, ministrja bëri të ditur se investimi në spitalin e Lushnjës ka nisur në vitin 2026, me fillimin zyrtar të punimeve më 4 mars.
Ministrja Sala, tha se qytetarët kanë nevojë për të vërtetën dhe jo për alarm politik të fabrikuar, ndërsa shtoi se ka deputetë që sa shohin një skelë ndërtimi, shpallin katastrofë kombëtare.
“Spitali Bashkiak Lushnjë mbulon mbi 63 mijë banorë dhe funksionon në godina të ndërtuara para viteve ’90, të cilat për dekada kanë pasur amortizim të konsiderueshëm infrastrukturor dhe teknik. Kjo nuk është një problematikë e krijuar sot. Është një trashëgimi shumëvjeçare, që për vite me radhë nuk mori investimet e nevojshme“, tha ajo.
Pikërisht për këtë arsye, spitali i Lushnjës tha Sala është përfshirë në programin kombëtar të investimeve në infrastrukturën spitalore, të financuar nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
“Investimi ka nisur gjatë vitit 2026 dhe punimet kanë filluar zyrtarisht më 4 mars. Fondi i planifikuar për këtë vit është rreth 82 milion lekë, ndërsa për vitin 2027 janë planifikuar rreth 236 milion lekë të tjera.
Ndërhyrja po realizohet në godinën nr. 3 të spitalit, ku funksiononin urgjenca, imazheria, kirurgjia, reanimacioni dhe patologjia. Paralelisht po kryhen ndërhyrje edhe në ambientet e lidhura me maternitetin dhe shërbimet mbështetëse, me synim përmirësimin e kushteve për nënat, të porsalindurit dhe pacientët në tërësi“, vijoi Sala.
Ministrja Sala shtoi se “ky nuk është një investim fasadë. Nuk është një lyerje muresh për fotografi propagandistike. Është një rikonstruksion i plotë infrastrukturor, që përfshin rehabilitimin e ambienteve spitalore, rikonstruksionin e rrjeteve teknike, përmirësimin e kushteve higjieno-sanitare, rritjen e sigurisë teknike dhe modernizimin e kushteve diagnostikuese e trajtuese“.
“Ne kemi zgjedhur rrugën më të vështirë, por më të përgjegjshme: të investojmë duke garantuar vazhdimësinë e shërbimit. Për këtë arsye është miratuar dhe po zbatohet një plan i përkohshëm riorganizimi dhe shërbimet e urgjencës, imazherisë, kirurgjisë dhe repartet e tjera vijojnë aktivitetin në ambiente të tjera funksionale të spitalit. Ka një dallim të madh mes kritikës konstruktive dhe përpjekjes për të deformuar realitetin. Ne e mirëpresim kritikën që ndihmon për të përmirësuar sistemin. Por nuk mund të pranojmë retorikën që tenton të paraqesë spitalet publike si struktura të braktisura, ndërkohë që aty punohet çdo ditë, investohet çdo ditë dhe trajtohen mijëra qytetarë“, tha Sala.
Sipas Salës, për vitin 2026 janë parashikuar total investimesh prej 4.2 miliard lekë, ose 27,5% më shumë krahasuar me planin fillestar të vitit 2025.
“Aktualisht, po vijojnë punimet në spitalet e Beratit, Shkodrës, Fierit, Gjirokastrës dhe Vlorës, në godinën e Spitalit Psikiatrik Elbasan, në godinën Back-Up të Qendrës Kombëtare të Urgjencës Mjekësore në Vlorë, si dhe në shërbimin Djegie-Plastikë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza””, shtoi ajo, ndërsa brenda këtij viti pritet të nisë puna për godinën e re të Spitalit të Korçës, për rikonstruksionin e urgjencës së Spitalit të Durrësit dhe për Spitalin e Hasit.
“Të gjitha faktet që përmenda më sipër janë tregues konkret se investimet në shëndetësi nuk janë të përqendruara vetëm në Tiranë apo në spitalet universitare. Ato po shtrihen gradualisht në të gjithë territorin, me vizionin e qartë se qytetarët duhet të marrin shërbim dinjitoz, cilësor dhe të sigurt, pavarësisht se ku jetojnë”, tha Sala.
“Krahasuar me ritmin mesatar të aktivitetit gjatë vitit 2025, të dhënat e tremujorit të parë të vitit 2026 tregojnë se janë trajtuar 1,727 pacientë të shtruar, ose rreth 26% e totalit të vitit 2025 vetëm në tre muajt e parë, duke reflektuar një ritëm të qëndrueshëm të hospitalizimeve.
Janë realizuar 86 ndërhyrje kirurgjikale, që përbëjnë rreth 16% të totalit të vitit 2025, janë përballuar 15,553 urgjenca, ose afro 31% e totalit të urgjencave të vitit 2025, çka tregon një rritje me rreth 24% të ritmit të punës në rastet urgjente krahasuar me të njëjtën mesatare periodike.
Janë kryer 14,076 konsulta ambulatore, ose rreth 24% e totalit të vitit 2025, duke ruajtur pothuajse të njëjtin nivel aktiviteti me vitin paraardhës”, theksoi Sala, ndërsa shtoi se janë realizuar 39,739 ekzaminime laboratorike, radiologjike dhe endoskopike, ose mbi 25% e totalit vjetor 2025 vetëm në tremujorin e parë, duke reflektuar një trend në rritje të kërkesës për shërbime diagnostikuese.
“Këto nuk janë shifra të një spitali të braktisur por të një strukture që funksionon, që mban peshën e shërbimit për qytetarët dhe që stafi i kësaj strukture spitalore meriton mbështetje, jo baltosje politike”, vuri në dukje ajo.
“Spitali i Lushnjës disponon CT Scanner, aparate radiografie, mamografi funksionale, aparatura ekografie dhe pajisje të tjera laboratorike e kirurgjikale, ndërkohë që po vijon puna për modernizimin gradual të aparaturave të amortizuara”, tha ajo.
“Gjatë vitit 2026 është vendosur aparat i ri anestezie në sallën operatore të Obstetrikë-Gjinekologjisë si dhe është realizuar zëvendësimi i aparaturës së ekografisë. Ndërkohë spitali do të pasurohet me aparat të ri ekografie dhe mamografie”, vijoi Sala.
Ministrja Sala u ndal edhe te informacioni i kërkuar për rrjetin e oksigjenit në spitale, ndërsa theksoi se në muajin shtator 2025 është realizuar mirëmbajtja e rrjetit dhe panelit të shpërndarjes, ndërsa në muajin shkurt 2026 është kryer kolaudimi dhe mirëmbajtja e sistemeve të mbrojtjes nga zjarri në ambientet teknike.
Për sa i përket barnave, Sala tha se spitali i Lushnjës e ka menaxhuar situatën në kohë reale dhe pacientët kanë marrë mjekimin e nevojshëm.
“Furnizimi me barna realizohet përmes kontratave aktive dhe marrëveshjeve kuadër, ndërsa për periudhën 2026–2028 është planifikuar zgjerimi i mëtejshëm i kontratave për medikamentet spitalore”, cilësoi ajo.
Sa i takon shërbimit të dializës, ministrja Sala tha se aktualisht janë 51 pacientë nga Lushnja që marrin shërbim dialize: 34 pacientë në Fier,12 në Durrës; 3 në QSUNT dhe 2 në Berat.
“Ne nuk pretendojmë se çdo problematikë është zgjidhur. Shëndetësia është një sistem kompleks dhe sfidat ekzistojnë. Por ka një ndryshim të madh mes atyre që përpiqen çdo ditë të zgjidhin problemet dhe atyre që përpiqen çdo ditë t’i përdorin problemet si kapital politik.
Spitali i Lushnjës nuk është një strukturë e braktisur. Është një strukturë ku po investohet, ku po punohet dhe ku shërbimi vijon për qytetarët. Ky është realiteti. Dhe mbi realitetin duhet të ndërtohet debati publik, jo mbi ekzagjerime, panik apo deformim të qëllimshëm të situatës”, përfundoi Sala.
