Shkup, 22 korrik, Zhurnal.mk – Reparti i traumatologjisë pranë Klinikës Universitare për Sëmundje Kirurgjikale “Shën Naum Ohri” në Shkup është vënë në funksion pas një rinovimi të plotë, me qëllim përmirësimin e kushteve të trajtimit për pacientët dhe të punës për personelin mjekësor.
Reparti disponon me 26 shtretër spitalor, ndërsa gjatë një viti kryhen rreth 1.100 ndërhyrje kirurgjikale, të realizuara nga nëntë kirurgë‑traumatologë. Bëhet fjalë për një nga qendrat kryesore për trajtimin e lëndimeve traumatike në vend.
Në kuadër të rikonstruksionit janë vendosur shtretër të rinj spitalorë, është rinovuar plotësisht rrjeti elektrik dhe ai i ujësjellësit, janë rikonstruktuar nyjet sanitare, si dhe janë instaluar dyer të reja të projektuara sipas standardeve për parandalimin e përhapjes së infeksioneve.
Autoritetet shëndetësore vlerësojnë se investime të tilla do të kontribuojnë në rritjen e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në krijimin e kushteve më të mira si për pacientët, ashtu edhe për personelin mjekësor.
“Investimi kap rreth 200 mijë euro vetëm për aktivitetet ndërtimore, me një investim shtesë prej 30 mijë euro për mobilimin krejtësisht të ri të repartit – shtretër të rinj me qëndruesa për infuzione, të siguruara përmes sponsorizimeve nga kompani socialisht përgjegjëse, pra nga vendi ynë. Ndërsa ato 200 mijë euro janë nga buxheti i vetë spitalit, pra nga buxheti ynë”, tha Nebojsha Nastov.
