Samiti i 11 i nismës së tre deteve, Begaj: Histori suksesi, Ballkani Perëndimor front strategjik i Evropës

Nga Xh M
382 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Dubrovnik, 28 prill Zhurnal.mk – Presidenti i Republikës, Bajram Begaj mori pjesë në Samitin e 11-të të Nismës së Tre Deteve, të zhvilluar në Dubrovnik të Kroacisë, aty ku lindi kjo platformë nga 13 vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Shqipëria, prej vitit të kaluar, është anëtare e asociuar e kësaj platforme që synon forcimin e ndërlidhshmërisë, inovacionit, infrastrukturës dhe konkurrencës industriale.

Presidenti i Republikës bëri apel për rezultate të prekshme që përshpejtojnë zhvillimin ekonomik rajonal dhe integrimin në Bashkimin Evropian.

“Ballkani Perëndimor nuk është më periferi, por front strategjik i Evropës”, – theksoi Kreu i Shtetit në fjalën e tij me fokus rëndësinë e bashkëpunimit rajonal dhe integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Begaj e cilësoi këtë iniciativë si një histori suksesi që është shndërruar në një platformë konkrete për zhvillim:
“Një dekadë nuk është një kohë e gjatë në histori, por është e mjaftueshme për të testuar idetë. Sot kjo platformë po prodhon lidhje reale, investime reale dhe ndikim real”.

Kreu i Shtetit nënvizoi se Evropa ndodhet në një moment vendimtar dhe kërkon më shumë se koordinim:
“Gjeopolitika, pasiguria ekonomike dhe transformimet në energji dhe teknologji kërkojnë jo vetëm koordinim, por lidership; jo vetëm qëndrueshmëri, por vizion”.

Në lidhje me procesin e integrimit, Presidenti i Republikës theksoi se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim për të ardhmen:
“Integrimi i rajonit tonë nuk është një çështje dytësore, por pjesë e zgjidhjes për një Evropë më të sigurt dhe më konkurruese”.

Duke folur për Shqipërinë, Presidenti Begaj vuri në dukje rëndësinë e lidhshmërisë dhe projekteve infrastrukturore:
“Lidhshmëria nuk është një qëllim abstrakt. Ajo përcakton se si rriten ekonomitë dhe si zhvillohen rajonet”.

Presidenti i Republikës përmendi projekte konkrete në energji dhe transport, duke i cilësuar ato si transformuese:
“Këto nuk janë thjesht projekte infrastrukturore, por instrumente transformimi që krijojnë stabilitet dhe tërheqin investime”.

Në fund, Kreu i Shtetit rikonfirmoi objektivin strategjik të Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian:
“Anëtarësimi në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 mbetet busulla jonë strategjike”.

Presidenti Begaj e mbylli fjalën me një mesazh për veprim konkret:
“Ajo që ka rëndësi tani nuk është ajo që themi, por ajo që realizojmë”.

Presidenti i Republikës përfaqëson për herë të dytë Shqipërinë me statusin e shtetit partner të asociuar në Samitin e Nismës së Tre Deteve.

Në deklaratën e miratuar nga Samiti i Dubrovnikit u theksua se zgjerimi i Bashkimit Evropian është një investim strategjik për paqen, sigurinë dhe begatinë në Evropë. Deklarata përsëriti thirrjen për një proces pranimi transparent, të bazuar në meritë, të besueshëm dhe të parashikueshëm për vendet kandidate, me referencë të veçantë për Shqipërinë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër