Samiti i NATO-s në Shqipëri në 2027, Albana Koçiu: Gati të pozicionohemi si partner konkurrues

Nga R.ZH
774 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 15 korrik, Zhurnal.mk – Shqipëria po konsolidon pozicionin e saj në arkitekturën euroatlantike të sigurisë, ndërsa përgatitet të mirëpresë Samitin e NATO-s në vitin 2027. Sipas zv/kryeministres Albana Koçiu, ky zhvillim shoqërohet me investime të rëndësishme në sektorin e mbrojtjes dhe me zgjerimin e kapaciteteve prodhuese të industrisë ushtarake në vend. Një nga projektet kryesore është ndërtimi i kompleksit industrial të Guna Tactical, pjesë e KAYO-s, ku po realizohet një investim prej 13.2 milionë eurosh, në kuadër të marrëveshjes fillestare me MSSC Group. Projekti synon prodhimin e uniformave dhe pajisjeve ushtarake, duke shënuar një hap të ri në zhvillimin e industrisë shqiptare të mbrojtjes.

Shqipëria do të mirëpresë Samitin e NATO-s në 2027, një arritje që reflekton besimin e aleatëve dhe rolin gjithnjë e në rritje të vendit në sigurinë euroatlantike. Ky angazhim po mbështetet me investime konkrete, rritje të kapaciteteve dhe zhvillimin e një industrie moderne të mbrojtjes. Në kantierin e ndërtimit të Guna Tactical, pjesë e KAYO-s, po merr formë një projekt që shkon përtej investimit në prodhimin e uniformave dhe pajisjeve ushtarake. Investimi prej 13.2 milionë eurosh, pjesë e marrëveshjes fillestare me MSSC Group, hap një drejtim të ri strategjik për Shqipërinë.

Në një kohë kur vendet e NATO-s po rrisin investimet në mbrojtje, me objektivin për të arritur deri në 5% të PBB-së, Qeveria Shqiptare ka rritur mbështetjen për sektorin e mbrojtjes. Përmes Aktit Normativ të Buxhetit 2026, kemi miratuar 10.3 miliardë lekë shtesë, duke e rritur financimin në 2.6% të PBB-së në përputhje me angazhimet e marra në kuadër të NATO-s.

Shqipëria është gati të pozicionohet si një partner konkurrues në industrinë e mbrojtjes. Tradita në manifakturë, fuqia punëtore e kualifikuar dhe afërsia me tregjet europiane janë avantazhe reale që po kthehen në kapacitete konkrete, duke projektuar, prodhuar dhe eksportuar produkte për forcat e armatosura dhe strukturat e sigurisë, jo vetëm në vend, por edhe në tregjet ndërkombëtare.

Me 1200 vende të reja pune dhe 3 kontrata të nënshkruara për furnizimin me veshje të Forcave të Armatosura, Policisë së Shtetit dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për periudhën 2026–2028, Guna Tactical po jep rezultatet e para konkrete. Kjo nuk është një histori suksesi e izoluar. Së bashku me TIMAK Defence, dhe me “Myslym Keta Defence” po krijohet një zinxhir i integruar i industrisë së mbrojtjes shqiptare, i mbështetur nga partneritete strategjike që sjellin investime, teknologji dhe punësim të kualifikuar.

Një tjeter arritje konkrete është partneriteti me Fincantieri. Përmes KAYO-s, Shqipëria po hyn në një ndërmarrje të përbashkët për prodhimin e mjeteve lundruese, me synim edhe eksportin. Aktiviteti në Pashaliman do të rrisë kapacitetet e Forcës Detare, dhe do ta pozicionojë vendin si një pikë referimi për mirëmbajtjen dhe prodhimin e anijeve për partnerët e NATO-s. Ky është vizioni ynë për ta kthyer Shqipërinë në një qendër rajonale të industrisë së mbrojtjes, duke forcuar njëkohësisht sigurinë kombëtare, ekonominë dhe integrimin në zinxhirët ndërkombëtarë të teknologjisë dhe prodhimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër