Prishtinë, 16 shtator, Zhurnal.mk – Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit, ka njoftuar se ka takuar babain e tij pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka përcjellë mesazhin e babait të tij, duke thënë se ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së janë të fortë dhe me ndërgjegje të pastër.
“Sapo përfundova vizitën me babin”, thuhet fillimisht në postimin e tij.
“Ai falënderon secilin shqiptar për mbështetjen që i është dhënë luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.
“Ata janë të fortë, krenarë dhe me ndërgjegje të pastër për veprimtarinë e tyre. Ky nuk është dënim për ta, sepse fitoren e tyre e kanë fituar në qershor të vitit 1999 dhe më 17.02.2008”, ka shkruar Altin Krasniqi.
Ai ka përcjellë edhe qëndrimin se aktgjykimi përbën, sipas tij, një dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës.
“Ky është një dënim për popullin dhe shtetin e Kosovës. UÇK-ja është dhe do të mbetet krenaria jonë”, ka shkruar ai.
Jakup Krasniqi është dënuar me 25 vjet burgim nga Dhomat e Specializuara në Hagë, ndërsa vendimi i shkallës së parë mund të ankimohet.
