Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Rute arriti në Shkup

Nga D. V.
465 e lexuar
A+A-
Rivendos

Shkup, 3 mars – Ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski priti në aeroportin e Shkupit, Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rute i cili ndodhet për vizitë zyrtare në vend.

“Është nder për mua të mirëpres Sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rute. Në kohë sfidash serioze të sigurisë është me rëndësi të veçantë që të kontribuojmë së bashku për sigurinë, paqen dhe stabilitetin”, shkroi në Fejsbuk, Misajllovski.

Nga aeroporti i Shkupit, Rute së bashku me delegacionin e tij u nisën për në villën Vodno ku nikoqire e tij do të jetë presidentja, Gordana Siljanovska-Davkova.

Sekretari i përgjithshëm do të pritet me nderime më të larta shtetërore dhe ushtarake në ceremoni në Kabinetin e presidentes, pas çka do të vijojë takim tet-a-tet dhe mbledhje plenare e delegacionit të Maqedonisë dhe atij të NATO-s. Është paraparë edhe konferencë e përbashkët për shtyp e presidentes Siljanovska-Davkova dhe Rutes.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s do të ketë takim edhe me kryeministrin Hristijan Mickoski, si dhe me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi, pas çka do të mbajë fjalim para deputetëve në Dhomën ligjvënëse.

Rute do ta vizitojë edhe kazermën “Ilinden”, ku do të marrë pjesë në prezantimin e grupit të lehtë këmbësorik të Batalionit të Armatës dhe një pjese të pajisjes së kësaj njësie.

Në ngjarjen do të marrin pjesë ministri i Mbrojtjes, Vllado Misajllovski, shefi i Shtatmadhorisë, gjeneral-majori Sashko Lafçiski, gjeneralë të Armatës dhe përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes.

Kjo është vizita e parë e Rutes si sekretar i përgjithshëm i NATO-s në Shkup. Ai ishte në vend në nëntor të vitit 2021 si kryeministër i atëhershëm i Holandës.

Në vitin 2023 për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut qëndroi njeriu i parë i NATO-s, Jens Stoltenberg.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër