Sëmundja e deleve po shkatërron, kanë ngordhur 10.000 krerë, a vonuan institucionet me masat?

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 8 shtator, Zhurnal.mk – Sëmundja e deleve vazhdon të përhapet në vend – deri tani janë konfirmuar 64 vatra, ndërsa sipas të dhënave të fundit të autoriteteve, kanë ngordhur rreth 10.000 dele. Numri më i madh i vatrave është në Rajonin Lindor, ku janë regjistruar 50 raste, shtatë në Rajonin Verilindor, gjashtë në Rajonin e Vardarit, ndërsa një vatër ka edhe në Rajonin e Shkupit. Situata ngre shumë pyetje pse sëmundja arriti në këto përmasa dhe a vonuan institucionet me masat për parandalimin e përhapjes së saj, raporton Vecer, transmeton Zhurnal.

Ministri i bujqësisë, pylltarisë dhe ujërave, Borçe Serafimovski, siguron se institucionet kompetente e ndjekin çdo ditë gjendjen dhe marrin masa. Ai u bëri apel blegtorëve të respektojnë me përpikëri rekomandimet, të raportojnë me kohë rastet e dyshimta dhe të mos përdorin pajisje të përbashkëta pa dezinfektim paraprak.

Si një nga rreziqet kryesore për përhapjen e infeksionit, sipas analizave epidemiologjike, veçohet qethja e deleve me gërshërë që nuk janë dezinfektuar siç duhet.

Institucionet tashmë po ndërmarrin aktivitete për sigurimin e vaksinave përmes Komisionit Evropian, Republikës së Turqisë dhe Organizatës për Ushqim dhe Bujqësi të Kombeve të Bashkuara (FAO). Megjithatë, sigurimi i vaksinave nuk do të thotë automatikisht edhe përdorimi i tyre. Vendimi për vaksinim do të merret mbi bazën e vlerësimit profesional të gjendjes epidemiologjike, rrezikut, si dhe pasojave të mundshme veterinare‑shëndetësore dhe ekonomike.

Serafimovski konfirmoi se blegtorët, tufat e të cilëve janë prekur nga sëmundja, do të kompensohen. Janë në proces vlerësimet dhe përgatitjet për sigurimin e mjeteve për pagesë, ndërsa modeli i kompensimit, sipas ministrit, tashmë është përcaktuar nga Agjencia për Ushqim dhe Veterinari.

Por për blegtorët, humbjet tashmë janë të mëdha. Rreth 10.000 dele të ngordhura janë evidentuar deri tani në terren. Goditje shtesë për fermerët është edhe masa sipas së cilës nuk lejohet për gjashtë muaj që në të njëjtin vend të futet përsëri tufë e re.

Ministria dhe Agjencia për Ushqim dhe Veterinari janë në komunikim të vazhdueshëm, ndërsa autoritetet e ndjekin gjendjen edhe në vendet fqinje për shkak të mundësisë së shfaqjes së sëmundjeve të tjera ngjitëse te gjedhi. Është mbajtur një takim pune me institucionet kompetente në Serbi për shkëmbim informacioni dhe përvojash, ndërsa me kujdes ndiqet edhe gjendja në Greqi. Për momentin, sfida më e madhe mbeten lija e deleve.

Por, me 64 vatra dhe rreth 10.000 dele të ngordhura, mbetet pyetja kyçe nëse masat ishin të ndërmarra me kohë dhe mjaftueshëm efikase, apo institucionet reaguan pasi sëmundja tashmë kishte marrë hov serioz.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër