Tiranë, 8 shtator, Zhurnal.mk – Kryeministri Edi Rama, deklaroi sot se Shqipëria synon të zgjerojë rrjetin e qendrave TUMO, ndërsa do të vijojë me shtrirjen e laboratorëve inteligjentë në shkolla, me qëllim krijimin e më shumë mundësive për të rinjtë që duan të zhvillohen në teknologji dhe inteligjencë artificiale.
I pranishëm në Forumin e Dytë të Inovacionit, me fokus te Inteligjenca Artificiale dhe zhvillimi i sektorit të teknologjisë në Shqipëri, ku e pranishme ishte edhe ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, Rama tha se po zhvillohet një proces pune me Fondin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim për zgjerimin e rrjetit të qendrave TUMO, duke vlerësuar suksesin e qendrës së Tiranës dhe interesin e lartë të të rinjve.
“Qendra e Tiranës është një sukses i jashtëzakonshëm, por ka dhe një ngarkesë jo të vogël, ndërkohë që talentet janë kudo dhe veçanërisht talentet e teknologjisë gjenden në zona me më pak mundësi, sepse më të rinjtë e shikojnë teknologjinë si një mundësi për të fluturuar përtej atyre situatave ku ndjehen të zënë si në kurth. Dhe shtrirja e këtyre qendrave do të jetë diçka shumë pozitive. Ashtu sikundër do të jetë pozitive edhe shtrirja e laboratorëve inteligjentë në shkolla. Tanimë po i afrohemi numrit 300 të laboratorëve inteligjentë, por synimi dhe financimi në dispozicion është për të mbuluar të gjitha shkollat me laboratorë inteligjent, gjë që pastaj ndikon në mënyrë të drejtpërdrejtë tek numri i fëmijëve që përgatiten për të hyrë dhe për t’u marrë me këtë sektor”, tha ai.
“Sot, kemi po ashtu një trend shumë pozitiv rritjeje të qëndrueshme të studentëve që merren me teknologji. Janë 9000 aktualisht dhe për kënaqësinë time të madhe në këtë temë, numri i vajzave që merren me teknologji është nga më të lartat në Europë. Një dëshmi tjetër e atij fakti që unë e kam përqafuar prej kohësh që në Shqipëri vajzat dhe gratë janë shumë më të mençura se burrat dhe djemtë”, vijoi ai.
Një tjetër nismë, sipas Ramës është edhe Programi Kombëtar për Aftësimin në Teknologji dhe Inteligjencë Artificiale, i cili do të jetë pa pagesë për individët dhe të gjithë të interesuarit.
Në fjalën e tij, Kryeministri u ndal edhe te Fondi i Inovacionit, duke theksuar se do të shtohen grantet për financimin e kërkimit të aplikuar dhe të partneriteteve mes universiteteve dhe industrisë, një fushë që, sipas tij, vijon të ketë vështirësi dhe prapambetje.
Rama foli edhe për sigurinë kibernetike, duke e cilësuar ngritjen e Shqipërisë në nivelet më të larta të mbrojtjes kibernetike si një tjetër rezultat të rëndësishëm të sektorit publik.
Kreu i Ekzekutivit tha se Shqipëria është renditur në vitin 2026 në vendin e parë sa i përket nivelit të mbrojtjes kibernetike, duke e lidhur këtë rezultat me investimet e kryera pas sulmit të rëndë ndaj infrastrukturës digjitale të vendit.
“Neve na u bë një sulm i egër mbi infrastrukturën tonë digjitale për të marrë masa, për të investuar në mbrojtjen kibernetike dhe për të pasur sot një sistem shumë të zhvilluar të mbrojtjes kibernetike. Dhe faktikisht Shqipëria sot është e sulmuar pothuajse në mënyrë të përditshme nga rajoni e aziatikët sepse të gjitha sulmet përplasen në murin e tonë mbrojtës dhe nuk arrijnë dot të depërtojnë infrastrukturën tonë publike”, vijoi Rama.
