Shkup, 4 nëntor, Zhurnal.mk – Institucionet janë të përgatitura për fillimin me kohë të blerjes së duhanit nga prodhimi i këtij viti dhe për mbikëqyrjen inspektuese të procesit, deklaroi ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Borçe Serafimovski, në takimin e sotëm me blerësit, përpunuesit dhe Lidhjen e Shoqatave të Duhanprodhuesve, i cili u mbajt në Kombinatin e Duhanit në Prilep.
Ministri theksoi se kjo degë prodhuese mbetet ndër më të rëndësishmet në bujqësinë maqedonase.
“Duhani është kulturë strategjike për bujqësinë maqedonase, ndërsa blerja e tij është një nga proceset më të rregulluara me ligj. Për këtë prodhim presim që çmimi mesatar i blerjes të tejkalojë 420 denarë për kilogram”, theksoi ministri Borçe Serafimovski.
Blerësit konfirmuan se janë të përgatitur të fillojnë pa pengesa blerjen e prodhimit, i cili vlerësohet nga 26 deri në 27 milionë kilogramë.
Serafimovski paralajmëroi se duhanprodhuesit, përveç të ardhurave nga shitja, mund të presin edhe mbështetje shtetërore prej 80 denarësh për kilogram për klasën e parë, 70 denarë për klasën e dytë dhe 60 denarë për klasën e tretë.
Në takim u prezantuan edhe planet për kontrollet në terren gjatë pranimit të prodhimit.
“Inspektorati Shtetëror i Bujqësisë është i përgatitur që përmes mbikëqyrjes inspektuese t’i përfshijë të gjitha 317 pikat e blerjes të dhjetë kompanive të regjistruara për blerjen e duhanit”, porositi në takim drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Bujqësisë, Ivica Angelovski.
