Sesioni i UNESCO-s, vlerësohen dokumentet e reja strategjike për Parkun Kombëtar të Butrintit

Nga D. V.
600 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 24 korrik, Zhurnal.mk – Shqipëria mori pjesë në sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, të zhvilluar në Busan të Republikës së Koresë.

Në këtë forum të rëndësishëm global për mbrojtjen dhe menaxhimin e trashëgimisë botërore marrin pjesë mbi 3 mijë delegatë dhe ekspertë nga 196 shtete të cilët diskutuan politikat dhe masat për ruajtjen e pasurive kulturore dhe natyrore me vlerë universale të jashtëzakonshme.

Delegacioni shqiptar prezantoi progresin e arritur në mbrojtjen dhe menaxhimin e pasurive të trashëgimisë botërore në Shqipëri.

Për Parkun Kombëtar të Butrintit, komiteti vlerësoi pozitivisht dokumentet e reja teknike dhe strategjike, forcimin e bashkëpunimit me komunitetin lokal, si dhe angazhimin për një menaxhim të qëndrueshëm në përputhje me standardet e UNESCO-s.

Vlerësim mori edhe puna për Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës, ku u njoh progresi në avancimin e Planit të Integruar të Menaxhimit, forcimin e koordinimit institucional dhe ndërmarrjen e masave për ruajtjen afatgjatë të këtyre pasurive me rëndësi të jashtëzakonshme.

Prezantimi u përqendrua edhe te Rajoni i Liqenit të Ohrit. Shqipëria prezantoi masat konkrete të ndërmarra për mbrojtjen e kësaj pasurie ndërkufitare, përfshirë shpalljen e Gadishullit të Linit si Ansambël Arkitektonik Urban me zonën e tij mbrojtëse, forcimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore, si dhe bashkëpunimin e ngushtë me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe UNESCO-n për menaxhimin e koordinuar të kësaj pasurie të përbashkët.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër