Shasivari paralajmëroi takim me Filipçe për rikthimin e LSDM-së në reformat zgjedhore

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 30 shtator, Zhurnal.mk – Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, së bashku me anëtarët e grupit punues për reformat në legjislacionin zgjedhor, sot bisedoi për çështjet e hapura dhe për hapat e nevojshëm për debllokimin e procesit dhe rikthimin e tij në dinamikë institucionale aktive.

Ministria e Drejtësisë në periudhën e kaluar ka iniciuar dialog të hapur, serioz dhe konstruktiv me të gjithë faktorët politikë dhe institucionalë relevantë, me qëllim që përmes diskutimit të argumentuar dhe propozimeve konkrete të arrihet përparim në reformën e legjislacionit zgjedhor.

“Kodi zgjedhor nuk është pronë e asnjë partie politike, as të pushtetit, as të opozitës. Ai është ligj që i përcakton rregullat demokratike sipas të cilave qytetarët e realizojnë vullnetin e tyre të shprehur lirshëm. Prandaj, të gjithë faktorët politikë kanë obligim të bisedojnë. Mund të kemi qëndrime politike të ndryshme, por nuk duhet të lejojmë që dallimet të jenë pengesë për përmirësimin e sistemit zgjedhor”, theksoi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.

Ministri Shasivari paralajmëroi se në periudhën e ardhshme do të kërkojë takim me deputetin dhe kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, në të cilin do të bisedojnë për mundësitë e debllokimit të procesit dhe për pjesëmarrjen aktive të LSDM-së në punën e grupit punues.

“Vlerësoj se procesi zgjedhor dhe reforma e legjislacionit zgjedhor janë çështje për të cilat është i nevojshëm konsensus i gjerë politik dhe institucional. Prandaj, në periudhën e ardhshme do të kërkoj takim me kryetarin e LSDM-së, Venko Filipçe, me qëllim që drejtpërdrejt të bisedojmë për çështjet e hapura dhe të gjejmë mënyrë që procesi të vazhdojë. Pres që LSDM të bashkohet në takimin e ardhshëm të grupit punues dhe të japë kontributin e vet në reformë”, tha Shasivari.

Siç theksoi ministri, qëllimi nuk është matje politike, por përgjegjësi institucionale dhe krijimi i legjislacionit zgjedhor që do të jetë stabil, i parashikueshëm, transparent dhe i harmonizuar me standardet evropiane dhe rekomandimet relevante të OSBE/ODIHR.

“Nuk pres që të gjithë të pajtohemi për gjithçka. Por, pres të bisedojmë. Kjo reformë i tejkalon interesat ditëpolitike dhe i prek të gjithë qytetarët, sepse rregullat zgjedhore janë drejtpërdrejt të lidhura me besimin në procesin demokratik dhe në institucione”, theksoi ministri.

Ministria e Drejtësisë edhe më tej do të punojë me Kuvendin, partitë politike, opinionin ekspert, organizatat qytetare dhe të gjitha institucionet relevante me qëllim të sigurohet proces gjithëpërfshirës dhe zgjidhje cilësore për përmirësimin e legjislacionit zgjedhor.

“Integrimi evropian nuk është vetëm deklaratë politike. Ai nënkupton reforma, institucione të forta, sundim të ligjit dhe rregulla që vlejnë njësoj për të gjithë. Rregullat zgjedhore janë për qytetarët, standardet evropiane janë obligimi ynë, ndërsa dialogu është përgjegjësia jonë institucionale”, potencoi ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër