Kriza e besimit në drejtësi: Gjyqësori në nivelin më të ulët historik të besueshmërisë

Nga Xh M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 14 nëntor Zhurnal.mk – Besimi i qytetarëve në sistemin gjyqësor në Maqedoninë e Veriut ka rënë në vetëm 2 për qind, duke ngritur shqetësime serioze për funksionimin e institucioneve dhe respektimin e drejtësisë. Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski, theksoi se përgjegjësia për këtë nivel të ulët të besimit nuk mund t’i atribuohet vetëm pushtetit gjyqësor, por është rezultat i funksionimit të të gjithë sistemit shtetëror. Ai bëri thirrje për komunikim dhe respekt të ndërsjellë ndërmjet tri pushteteve, duke e krahasuar organizimin shtetëror me një orkestër që duhet të funksionojë në harmoni.

“Pavarësisht se për cilën nga pushtetet bëhet fjalë, nëse ajo përballet me besimin historikisht më të ulët, kjo është rezultat i të gjithë sistemit. Pra, nuk mund të themi se pushteti gjyqësor ka vetëm 2% besim, ndërsa pushtetet e tjera gëzojnë besim të madh. Jo, sepse kjo është rezultat i funksionimit të të gjithë sistemit. E kemi thënë se organizimi i pushtetit shtetëror është si një orkestër. Nëse ajo orkestër nuk është e harmonizuar mirë, nëse nuk ka komunikim dhe respekt të ndërsjellë, atëherë do të tingëllojë si një orkestër e çakorduar. Nëse secili luan këngën e vet, si do të duket kjo? E njëjta gjë vlen edhe në mënyrë metaforike për shtetin. Të tri pushtetet duhet të komunikojnë brenda parimit kushtetues të ndarjes së pushtetit”, deklaroi Darko Kostovski, kryetar i Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkaq, gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Osman Kadriu, vlerësoi se kriza e besimit lidhet drejtpërdrejt me mosrespektimin e drejtësisë dhe të së drejtës. Sipas tij, përgjegjësia nuk bie vetëm mbi gjykatat, pasi edhe miratimi i ligjeve që bien ndesh me parimet e drejtësisë kushtetuese ndikon në humbjen e besimit të qytetarëve.

“Atë besim nuk e ndërtojnë gjykatat kushtetuese megjithatë edhe vendimet e tyre dhe puna e tyre kanë ndikim në besueshmërinë. Besueshmëria është shumë e ulët dhe për këtë flet vetë fakti se besueshmëria ka zbritur në 2% me tendencë për te shkuar ende më poshtë deri në minus.Pytja për besueshmërinë dhe jo besueshmërinë vjen nga respektimi i të drejtës, këtu në vendin tonë por edhe në vendet tjera ballkanike drejtësia është ne krizë është në krizë sepse drejtësia nuk respektohet. Besueshmëria është e ulët edhe kur shtëpia ligjvënës sjellë ligje të këqija që janë kundër drejtësisë kushtetuese”, deklaroi Osman Kadriu, gjykatës në Gjykatën Kushtetuese.

Deklaratat u bënë në një kohë kur besueshmëria në institucionet e drejtësisë mbetet një nga sfidat më të mëdha për shtetin dhe funksionimin e sundimit të ligjit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër