Nju Jork, 21 shtator, Zhurnal.mk – Zyrtarë amerikanë dhe kinezë kanë zhvilluar bisedime në Nju Jork për tregtinë dhe rreziqet që lidhen me inteligjencën artificiale (IA), vetëm pak ditë para samitit të planifikuar mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij kinez Xi Jinping.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent tha se Uashingtoni i ka propozuar Kinës krijimin e një mekanizmi për shkëmbimin e informacionit mbi zhvillimin e inteligjencës artificiale.
“Duam një vizion të përbashkët për objektivat dhe kërcënimet që kemi të përbashkëta”, tha dje Bessent, pas një takimi me zëvendëskryeministrin kinez He Lifeng, të cilin e cilësoi si shumë të suksesshëm.
Ai nuk dha detaje të tjera. Bessent deklaroi së fundmi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të zhvillojnë bisedime me Kinën, për mënyrat e reduktimit të rreziqeve që lidhen me inteligjencën artificiale.
Bessent tha gjithashtu se të dyja palët diskutuan edhe për Bordin e Tregtisë, një strukturë e propozuar nga Trump.
“Bisedimet u zhvilluan në selinë e gjigantit amerikan të sektorit bankar “JPMorgan Chase” në Nju Jork dhe synonin të krijonin kushtet për një takim të suksesshëm mes Trump dhe Xi të enjten”, tha përfaqësuesi amerikan për tregtinë, Jamieson Greer.
Sipas medieve amerikane, Xi pritet të mbërrijë në Uashington të mërkurën.
Një tjetër çështje kryesore në samit pritet të jetë nëse të dyja palët do të zgjasin armëpushimin aktual tarifor, i cili përfundon më 10 nëntor.
Një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane akuzoi Kinën se nuk e ka zbatuar plotësisht zotimin për lehtësimin e furnizimit me minerale kritike, të rëndësishme për industri të ndryshme.
Nga ana tjetër, Pekini tha se të dyja palët do të diskutonin çështjet ekonomike dhe tregtare, pa dhënë detaje të mëtejshme.
Në samitin e së enjtes, pritet të diskutohen gjithashtu lufta në Iran dhe tensionet rreth Tajvanit, ndërsa mund të jetë pjesë e bisedimeve edhe marrëdhënia e Kinës me Rusinë.
