12 vjet nga vizita historike e papa Françeskut

Nga D V
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 21 shtator, Zhurnal.mk – Sot bëhen 12 vite nga vizita historike e papa Françeskut në Tiranë, më 21 shtator 2014.

Kjo ishte vizita e parë e papa Françeskut në një vend evropian jashtë Italisë, që nga zgjedhja e tij në krye të Kishës Katolike.

Papa qëndroi për rreth 12 orë në Tiranë, duke i bërë Shqipërisë një jehonë të madhe për bashkëjetesën paqësore dhe bashkëpunimin ndërmjet anëtarëve të feve të ndryshme.

Papa Francesku zgjodhi Shqipërinë, si vizitën e parë të tij në Evropë. Fjalimin e parë, e mbajti në presidencë, për të vazhduar pastaj fjalimin në meshën e shenjtë në sheshin “Nënë Tereza”.

Siç e ka edhe tradita, Papa u prit nga dhjetëra-mijëra shqiptarë të të gjitha besimeve fetare.

“Jam shumë i gëzuar që gjendem mes jush, në tokën e fisme të Shqipërisë, tokë heronjsh, që kanë flijuar jetën për pavarësinë e vendit, tokë martirësh, të cilët e kanë dëshmuar fenë në kohët e vështira të përndjekjes”, u shpreh ai.

Papa Françesku kremtoi Meshën dhe përforcoi në fe bashkësinë katolike, inkurajoi forcën e dialogut ndërmjet feve, në perspektivën e së mirës së përbashkët, në një vend me shumicë myslimane dhe inkurajoi gjithë popullin për të vazhduar në udhën e demokracisë.

Moment i veçantë gjatë vizitës së papa Françeskut ishte përqafimi me dy të mbijetuar të komunizmit, don Ernest Simonin (Troshani), tashmë kardinal, dhe motër Maria Kaletan. E pastaj, fëmijët e Qendrës Betania, ku murgeshat kujdesen edhe sot për nevojtarët e, shumë e shumë të tjerë.

Vizita e tij në Shqipëri tërhoqi vëmendje të gjerë ndërkombëtare, ndërsa në qendër të mesazheve të tij ishte bashkëjetesa ndërmjet komuniteteve të ndryshme fetare.

Ishte papa Françesku ai që më 4 shtator 2016, shpalli Shenjtore Nënë Terezën. Gjithashtu, ai ka nënshkruar dekretin për lumnimin e 38 martirëve të parë shqiptarë të komunizmit më 5 nëntor të po atij viti, duke shtuar edhe dy të tjerë më 16 nëntor 2024.

Papa Françesku vdiq më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër