Tiranë, 10 gusht, Zhurnal.mk – Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit ndërhyri sot në zonën e Qeparoit, në bashkinë Himarë, duke shembur një objekt 4-katësh me një kat nëntokë, i ndërtuar pa leje.
Sipas IKMT-së, objekti kishte konstruksion betonarme dhe ndërtimi i tij ishte konstatuar gjatë verifikimeve të kryera në terren.
Nga verifikimi i rastit ka rezultuar se subjekti pretendonte se kishte ndërtuar më herët një objekt njëkatësh me një kat nëntokë, për të cilin kishte aplikuar për leje legalizimi pranë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.
Sipas IKMT-së, subjekti kishte vijuar ndërtimin brenda pak ditësh, duke shtuar edhe tre kate të tjera, ndërsa punimet ishin kryer me betonim dhe pa disarmim.
IKMT bën të ditur se do t’i referojë në Prokurori të gjitha materialet e administruara lidhur me rastin, ndërsa po bashkëpunon me organet ligjzbatuese për zbardhjen e plotë të rrethanave.
