Shkup, 5 maj Zhurnal.mk – Mundësitë financiare nga Bashkimi Evropian për zhvillimin dhe rritjen e sektorit privat, ishin tema kryesore të takimit të sotëm mes zëvendëskryeministrit të parë dhe ministrit për Çështje Evropiane, Bekim Sali dhe kryetarit të Odës Ekonomike, Branko Azeski.
Në këtë takim u theksua rëndësia e shfrytëzimit të fondeve evropiane për forcimin e bizneseve vendore dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre. Gjithashtu me përfaqësues të sektorit privat u diskutua edhe për sfidat dhe prioritetet në procesin e integrimit evropian.
“Shfrytëzimi i fondeve është shumë i ulët. Nga ato 750 milionë euro janë përdorur vetëm 112 milionë, përkatësisht rreth 15 ose 16 për qind. Ky është një tregues i qartë se ne jemi shumë të ngadaltë në tërheqjen dhe shfrytëzimin e ndihmës së drejtpërdrejtë financiare që e kemi në dispozicion dhe duhet të punojmë shumë më tepër me institucionet, veçanërisht me pushtetin lokal. Mendoj se pikërisht aty qëndron baza e zhvillimit të barabartë rajonal, komunat duhet të rrisin kapacitetet për aplikim dhe tërheqje të këtyre fondeve, në mënyrë që të krijojnë infrastrukturë që do t’i shërbejë komunitetit të biznesit.”, – deklaroi zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali.
Afaristët kërkojnë nga Qeveria një qasje më aktive në tërheqjen e fondeve, duke mos pritur vetëm gatishmërinë e komunave, por duke krijuar mekanizma konkretë për t’i nxitur dhe mbështetur ato.
Njëherësh presin hapa konkrete drejt hapjes së fondeve të kohezionit dhe integrimit në tregun evropian, përfshirë edhe qasjen në tregjet globale ku BE-ja ka marrëveshje të tregtisë së lirë.
“Mendoj se do të pajtoheni që ndoshta në të ardhmen duhet të krijohet një mekanizëm se si të tërheqim më shumë mjete financiare, pa pritur komunat. Ato nuk janë gjithmonë të gatshme, prandaj ne duhet t’i nxisim dhe t’i mbështesim.”, – theksoi një afariste.
“Presim hapjen e fondeve të kohezionit dhe afrimin e konkurrueshmërisë me Bashkimin Evropian. Gjithashtu, presim hapjen e tregut të madh evropian jo vetëm tregun e BE-së, por edhe tregjet ku Bashkimi Evropian ka marrëveshje për tregti të lirë, që përbëjnë një treg prej rreth 2 miliardë njerëzish. Ne jemi këtu si partner i Qeverisë.”, – u shpreh afaristi, Gligor Cvetanoviq.
Në këtë takim pune të organizuar nga Oda Ekonomike e Maqedonisë së Veriut morën pjesë një numër i madh afaristësh dhe anëtarë të bordit drejtues, të cilët diskutuan për mundësitë dhe sfidat e sektorit privat në rrugën drejt integrimit evropian.
Ngjarja u zhvillua në prag të shënimit të Ditës së Evropës, 9 Majit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit në këtë proces.
