SHGM dënon pengimin e punës së kameramanit të TV Tera, kërkon reagim të menjëhershëm nga MPB dhe Prokuroria

Nga D. V.
A+ A-
Rivendos

Shkup, 4 gusht, Zhurnal.mk – Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) e dënon ashpër pengimin e punës profesionale të kameramanit të TV Tera nga Manastiri, Nikola Najdovski, nga persona të angazhuar si sigurim i NP “Komunalec” – Manastir.

Incidenti ka ndodhur në stadiumin “Petar Miloshevski” në Manastir, ku Najdovski ka xhiruar materiale të lidhura me manifestimet kulturore në qytet. Gjatë kryerjes së punës së tij profesionale, personat e angazhuar si sigurim e kanë sulmuar verbalish dhe i kanë marrë kamerën, duke e penguar të vazhdojë me raportimin.

SHGM thekson se një veprim i tillë është i papranueshëm dhe paraqet pengesë serioze të punës së një punonjësi mediatik. Askush nuk ka të drejtë të marrë pajisjet e një gazetari apo kameramani, apo me presion dhe kërcënime të pengojë kryerjen e detyrave profesionale.

“Duke pasur parasysh rrethanat e rastit, SHGM pret që institucionet kompetente të shqyrtojnë nëse veprimet e ndërmarra mund të konsiderohen edhe në kontekst të nenit 139 të Kodit Penal, i cili rregullon përdorimin e forcës ose kërcënimit serioz me të cilin një person detyrohet të bëjë, të mos bëjë ose të durojë diçka.

I bëjmë thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) dhe Prokurorisë Themelore Publike (OЈO) që shpejt dhe në mënyrë të plotë të hetojnë të gjitha rrethanat e rastit, të konstatojnë faktet dhe të ndërmarrin veprimet e duhura ligjore.

Gazetarët dhe punonjësit mediatikë duhet të kenë kushte të papenguar për raportim profesional, ndërsa çdo pengim, frikësim apo marrje e pajisjeve të tyre duhet të sanksionohet në mënyrë të duhur”, thonë nga SHGM.

artikuj të ndërlidhura