Tiranë, 9 shtator, Zhurnal.mk – Kreu i Shërbimit të Zjarrfikëses, Shkëlqim Goxhaj, tha sot gjatë një prononcimi për mediet se shpërthimi i ndodhur tek pika e karburantit në zonën e Brrylit, dyshohet se ka ndodhur në zyrat biznesit, por falë ndërhyrjes së shpejtë u neutralizua menjëherë.
Goxhaj tha se pas shpërthimit ka pasur edhe rrjedhje gazi e flakë por sipas tij, shërbimet zjarrfikëse ndërhynë brenda pak minutash, duke mbyllur rubinetin dhe ndaluar rrjedhjen e gazit.
Goxhaj tha se përfaqësues të biznesit kanë deklaruar se një automjet mund të ketë goditur zyrat e karburantit, por kjo mbetet për t’u verifikuar përmes kamerave të sigurisë.
“Në orët e para të mëngjesit kemi pasur shpërthim të gazit këtu te karburanti te ‘Brryli’. Është lajmëruar shërbimi zjarrfikës në sallën operative dhe janë aktivizuar dy stacionet që janë më afër. Në pak minuta kanë arritur në vendngjarje dhe është konstatuar se pika e karburantit dhe ambientet e zyrave ishin shembur për shkak të shpërthimit, si dhe kishte flakë”, tha Goxhaj.
“Flakët u shkaktuan nga rrjedhja e gazit. Zjarrfikësit mbyllën rubinetin dhe ndaluan rrjedhjen e tij në pak minuta. Shpërthimi ka ndodhur në zyrat e pikës së karburantit. Përfaqësuesit e bizneseve na thonë që një automjet mund të ketë goditur zyrat e karburantit, por mbetet për t’u parë, do të shihen kamerat e sigurisë. Do ta hetojmë nëse ka qenë defekt teknik i karburantit”, tha Shkëlqim Goxhaj.
Grupi hetimor po punon për të përcaktuar nëse shpërthimi ka ardhur si pasojë e një defekti teknik apo rrethanave të tjera.
Në vendngjarje ndodhen forcat e Policisë dhe shërbimet zjarrfikëse, ndërsa vijojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ngjarja ka shkaktuar lëndimin e tre personave, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën. Po ashtu, ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në pikën e karburantit, ndërsa pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë pajisje të dëmtuara dhe materiale të shpërndara në zonën përreth.
