Shqipëri-Gjermani, tri marrëveshje për energjetikën

Nga Xh M
600 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Berlin, 3 gusht ZHurnal.mk – Shqipëria dhe Gjermania kanë nënshkruar tri marrëveshje bashkëpunimi në sektorin e energjisë dhe eficiencës energjetike, me një vlerë totale rreth 90 milionë euro hua dhe 24 milionë euro grant.

Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, së bashku me ambasadorin gjerman në Tiranë, Karl Bergner, pas nënshkrimit të marrëveshjeve bëri të ditur se projektet e mbështetura nga qeveria gjermane dhe Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) kanë rëndësi strategjike për modernizimin e sistemit energjetik dhe për përmirësimin e shërbimeve për qytetarët.

“Marrëveshja e parë lidhet me eficiencën e energjisë në sistemin e transmetimit. Përmes saj do të bëhet digjitalizimi i të gjithë sistemit të transmetimit, duke mundësuar automatizimin e proceseve që lidhen me ndërlidhjen e nënstacioneve dhe operimin energjetik”, u shpreh Karakaçi.

Një tjetër marrëveshje parashikon rehabilitimin e hidrocentralit të Vaut të Dejës, një prej veprave më të rëndësishme publike energjetike në vend. Sipas ministrit, ky projekt vijon bashkëpunimin e suksesshëm me qeverinë gjermane dhe KfW-në për modernizimin e hidrocentralit.

Marrëveshja e tretë lidhet me rehabilitimin, në kuadër të eficiencës së energjisë, të godinave të konvikteve në “Qytetin Studenti”. Projekti do të financohet me një grant prej 24 milionë eurosh nga qeveria gjermane përmes KfW-së dhe synon përmirësimin e kushteve të jetesës për studentët, si dhe uljen e konsumit energjetik.

“Janë projekte që shkojnë në të mirën publike, për studentët, për një jetë më të mirë dhe një proces më të mirë të të nxënit, por edhe për kursimin energjetik, pasi të gjitha ambientet do të jenë me eficiencë energjie”, deklaroi Karakaçi.

Ministri falënderoi qeverinë gjermane dhe KfW-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen për projekte me interes publik në Shqipëri.

Nga ana e tij, ambasadori Karl Bergner shprehu mbështetjen e qeverisë gjermane për zhvillimin e investimeve me ndikim në ekonominë e vendit. Ai falënderoi qeverinë shqiptare për bashkëpunimin dhe vlerësoi rëndësinë e investimeve të përbashkëta që kontribuojnë në zhvillimin dhe modernizimin e Shqipërisë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër