Shqipëria e 4-ta në Evropë për rritjen e ekosistemit të startup-eve, ngjitje me 8 vende në klasifikimin global

Nga D. V.
250 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 28 maj, Zhurnal.mk – Shqipëria është renditur ekosistemi i 4-ët më në rritje i startup-eve në Evropë në Raportin Global të Ekosistemit të Startup-eve 2026, sipas një raporti të publikuar nga StartupBlink, harta më gjithëpërfshirëse globale e ekosistemeve të startup-eve.

Vendi ynë u ngjit tetë vende në renditjen globale, për tu renditur në vendin e 75 në botë, kërcimi më i madh i barabartë mes vendeve evropiane dhe i 3-ti më i madhi në mbarë botën.

Shqipëria rikthehet kështu në top 80-shen botërore me 71,1% rritje vjetore të ekosistemit, rritja e 4-ët më e lartë në kontinent.

Ky rezultat, pozicionon Shqipërinë mes vendeve me dinamikën më të fortë inovative në Evropë dhe konfirmon ndikimin e reformave të fundit në sektorin e inovacionit dhe sipërmarrjes.

Vetë ministrja e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj lidhur me këtë raport shprehet se sot Shqipëria është një histori e ndryshme nga ajo që ishte një vit më parë.

“Renditja e 4-ët më në rritje në Evropë është konfirmim ndërkombëtar se strategjia jonë po funksionon, investim publik, reforma të thella, dhe besim te sipërmarrësit tanë. Ekosistemi shqiptar i inovacionit dhe startup-eve po shndërrohet në një motor real të ekonomisë. Po ndërtojmë një Shqipëri ku talentit i ofrohet mundësia, kapitali vjen, dhe inovacioni akseleron rritjen ekonomike”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.

Ky përmirësim, vjen pas marrjes së një sërë masave gjatë 2 viteve të fundit si themelimi i agjencisë Startup Albania si dhe konsolidimi i portofolit te inovacionit nën ministrinë e Ekonomisë dhe Inovacionit.

Cikli i fundit i skemës së granteve të agjencisë në vitin 2026 tërhoqi plot 1,179 aplikantë startup-e dhe 40 nga institucionet mbështetëse të inovacionit me pjesëmarrje rekord prej 40,6% sipërmarrje të udhëhequra nga gra dhe vajza.

Raporti vëren gjithashtu se renditja e Shqipërisë në Indeksin e Mjedisit të Biznesit për Inovatorët, e 60 nga 125 vende, tregon kushte themelore biznesi më të forta sesa rezultatet aktuale të ekosistemit duke sinjalizuar potencial të mëtejshëm rritjeje në vitet e ardhshme.

Tirana mbetet i vetmi qytet shqiptar i renditur në raport. Zhvillimi i qendrave startup përtej kryeqytetit është identifikuar si prioriteti strukturor kryesor për fazën e ardhshme.

Ndërkohë, vetë Raporti Global i Ekosistemit të Startup-eve 2026 i StartupBlink rendit 1,000 qytete dhe 125 vende sipas forcës së ekosistemit, duke përdorur tregues të sasisë, cilësisë dhe mjedisit të biznesit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër