Tiranë, 23 prill, Zhurnal.mk – Shqipëria është përzgjedhur për të organizuar aktivitetin ndërkombëtar International Girls in ICT Day 2026, një iniciativë globale e International Telecommunication Union (ITU), që synon promovimin e përfshirjes së vajzave dhe grave në teknologji dhe komunikim.
Në këtë kuadër, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me ITU, po zhvillon në Tiranë aktivitetin me temë “AI për Zhvillim: Vajzat që Formësojnë të Ardhmen Digjitale”, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve vendase dhe ndërkombëtare, organizatave partnere dhe komunitetit akademik.
Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe zëvendëskryeministrja Albana Koçiu, e cila solli në vëmendje përparimin e Shqipërisë drejt transformimit digjital.
Gjatë ceremonisë së hapjes, drejtori i përgjithshëm i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Bledar Kazia, u ndal te roli thelbësor i kapitalit njerëzor në epokën digjitale, duke theksuar se siguria nuk është thjesht funksion i teknologjisë, por rezultat i njerëzve që e udhëheqin atë.
Ai theksoi se një ekosistem që nuk përfshin plotësisht vajzat dhe gratë e reja mbetet thelbësisht i paplotë dhe, për rrjedhojë, më pak i sigurt, ndërsa përfshirja përbën një kusht për qëndrueshmëri, inovacion dhe siguri reale.
Nga ana e tij, drejtori i Byrosë së Zhvillimit të Telekomunikacionit në ITU, Dr. Cosmas Luckyson Zavazava, theksoi se revolucioni i katërt industrial është tashmë një realitet dhe se zgjedhja qëndron mes të qenit pasagjerë në këtë proces apo kontribuues aktivë në ndërtimin e tij.
Ai nënvizoi rëndësinë e fuqizimit të vajzave për të qenë pjesë aktive e këtij zhvillimi, duke theksuar se kur vajzat formësojnë të ardhmen digjitale, ndikimi i tyre shkon përtej teknologjisë dhe transformon vetë shoqërinë.
Aktiviteti po zhvillohet si pjesë e festimeve ndërkombëtare të këtij viti, të cilat organizohen nga Shqipëria në bashkëpunim me Brazilin, duke reflektuar dimensionin global të kësaj iniciative dhe rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Programi përfshin diskutime të nivelit të lartë mbi inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike dhe përfshirjen gjinore në teknologji, si dhe një sesion ndërkombëtar hibrid Shqipëri – Brazil.
