Shqipëria, vendi pritës i sesionit të vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027

Nga D. V.
825 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 07 korrik, Zhurnal.mk – Delegacioni i përhershëm i Kuvendit në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, i përbërë nga deputetët Blendi Klosi dhe Fatmir Mediu, mori pjesë në punimet e sesionit të 33-të vjetor të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zhvilluar nga 4 deri më 8 korrik 2026 në qendrën World Forum në Hagë, Holandë.

Sesioni u zhvillua nën temën “E drejta ndërkombëtare dhe parimet e përbashkëta: themelet për sigurinë dhe bashkëpunimin në hapësirën e OSBE-së”, duke mbledhur parlamentarë nga vendet pjesëmarrëse të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë për të diskutuar sfidat aktuale të sigurisë, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe respektimin e së drejtës ndërkombëtare si bazë për paqen dhe stabilitetin.

Gjatë punimeve të sesionit, delegacioni shqiptar mori pjesë aktive në mbledhjet e tre komisioneve të përgjithshme dhe në sesionet plenare të Asamblesë, ku u trajtuan çështje të rëndësishme politike, ekonomike, të sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.

Në kuadër të aktivitetit u zhvilluan edhe zgjedhjet për drejtuesit e rinj të organeve të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, ku delegatët votuan për kryetarët e komisioneve kryesore dhe zëvendëspresidentët e rinj të këtij institucioni.

Një zhvillim i rëndësishëm për Shqipërinë ishte miratimi nga Asambleja Parlamentare e OSBE-së i propozimit të paraqitur nga delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë për organizimin në vendin tonë të Sesionit të Vjeshtës të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së në vitin 2027.

Ky vendim përbën një vlerësim të besimit të vendeve pjesëmarrëse ndaj Kuvendit të Shqipërisë dhe një mundësi të rëndësishme për forcimin e mëtejshëm të rolit të vendit në diplomacinë parlamentare ndërkombëtare, si dhe për promovimin e Shqipërisë si mikpritëse e forumeve të rëndësishme shumëpalëshe.

Pjesëmarrja e delegacionit shqiptar në këtë sesion konfirmon angazhimin e Kuvendit të Shqipërisë për të kontribuar në mënyrë aktive në punën e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, duke promovuar dialogun, bashkëpunimin dhe respektimin e parimeve themelore që garantojnë sigurinë dhe stabilitetin në hapësirën e OSBE-së.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër