Shkup, 5 shkurt – Nëse multietniciteti do të ishte matur me praktika konkrete e jo me deklarata politike, vendimi i fundit i Ministrisë së Drejtësisë për ta mbajtur provimin e jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase do të shërbente si shembull klasik i dështimit institucional. Në një shtet që pretendon barazi gjuhësore dhe përfaqësim të drejtë, refuzimi i kërkesës së mbi 385 studentëve shqiptarë të drejtësisë është më shumë se një vendim administrativ është një mesazh përjashtues dhe denigrues për gjeneratat e reja, shkruan Zhurnal.
Pse jo provimi në shqip?
Dokumenti zyrtar i siguruar nga INA, i datës 4 shkurt 2026 dhe i nënshkruar nga Sektori për Drejtësi pranë Ministrisë së Drejtësisë, i jep fund shpresave të studentëve shqiptarë që provimi i jurisprudencës të organizohet edhe në gjuhën shqipe. Ministria e Drejtësisë, e drejtuar nga Igor Filkovi i ZNAM-it, refuzon peticionin duke u fshehur pas formulimit burokratik të “korelacionit me ligjet e tjera relevante”.
Kur ligji interpretohet kundër barazisë. Argumentet e Ministrisë së Drejtësisë janë të njohura dhe tashmë të konsumuara mungesa e bazës ligjore, nevoja për njohje aktive të gjuhës maqedonase dhe hierarkia kushtetuese e gjuhëve. Por problemi nuk qëndron te ekzistenca e këtyre ligjeve, por te interpretimi selektiv i tyre, gjithmonë në dëm të shqipes.
Askush nuk konteston se gjyqtarët, prokurorët dhe avokatët duhet ta njohin gjuhën maqedonase. Por është absurde që kjo njohje të provohet duke mohuar të drejtën për ta dhënë një provim profesional në gjuhën amtare, sidomos në një shtet ku shqipja është gjuhë zyrtare. Njohja e maqedonishtes mund të testohet veçmas, pa e shndërruar gjuhën në mekanizëm përjashtimi.
Në këtë rast, gjuha nuk po përdoret si mjet integrimi institucional, por si filtër politik dhe social, i cili redukton numrin e kuadrove shqiptare në sistemin e drejtësisë.
Barriera reale për studentët shqiptarë –
Deklaratat e Mevlan Ademit, iniciues i peticionit, zbulojnë dimensionin real të problemit. Një numër i konsiderueshëm studentësh shqiptarë nuk i nënshtrohen fare provimit të jurisprudencës për shkak të terminologjisë dhe gjuhës maqedonase. Kjo do të thotë se pengesa nuk është teorike, por praktike dhe sistemike.
Prej dy vitesh, studentët marrin vetëm premtime boshe dhe përgjigje standarde “po shqyrtohet”, “po kërkohet zgjidhje”. Të njëjtat fjalë, i njëjti rezultat asnjë ndryshim. Kjo tregon qartë se problemi nuk është mungesa e mekanizmave ligjorë, por mungesa e vullnetit politik.
Nëse 385 studentë të drejtësisë nuk arrijnë ta ushtrojnë një të drejtë që buron nga Kushtetuta dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, atëherë multietniciteti në Maqedoninë e Veriut mbetet një koncept dekorativ, i vlefshëm vetëm për raporte ndërkombëtare dhe fjalime elektorale.
Nuk është rastësi që studentët tashmë paralajmërojnë ankesa në Zyrën e OSBE-së në Shkup dhe në Këshillin e Evropës në Strasburg. Kur institucionet vendore dështojnë të garantojnë barazi, ndërkombëtarizimi i çështjes mbetet mjeti i fundit.
Sot, në Maqedoninë e Veriut mund të studiosh drejtësi në shqip, por nuk mund ta përmbyllësh rrugën profesionale në të njëjtën gjuhë. Ky paradoks e zhvesh nga kuptimi çdo pretendim për shtet multietnik funksional. Pyetja nuk është nëse gjuha maqedonase duhet të mbrohet. Pyetja është pse gjuha shqipe duhet të mbetet gjithmonë në mbrojtje. Deri sa kjo logjikë të ndryshojë, drejtësia do të mbetet selektive dhe “shteti multietnik” vetëm një frazë në letër. /Zhurnal.mk

