Shtohen aksidentet me motoçikleta dhe trotinete, 14 të vdekur për tetë muaj

Nga Xh M
5 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Prishtinë, 3 shtator Zhurnal.mk – Aksidentet me motoçikleta dhe trotinete po shënojnë rritje në Kosovë, ndërsa numri i të lënduarve nga këto mjete po shtohet edhe në Klinikën Emergjente. Vetëm në tetë muajt e parë të vitit janë regjistruar 541 aksidente, ku janë përfshirë mjete me dy rrota, 14 prej tyre me fatalitet. Ekspertët e komunikacionit e lidhin këtë situatë kryesisht me pakujdesinë, shpejtësinë dhe përdorimin e telefonit gjatë ngasjes.

Një person ka humbur jetën në një aksident trafiku të mërkurën mbrëma, në fshatin Llukar të kryeqytetit. Në këtë aksident janë përfshirë një automjet dhe një motoçikletë.

Sipas të dhënave të policisë, gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti janë regjistruar 541 aksidente, në të cilat kanë qenë të përfshira motoçikleta dhe trotinete. Prej tyre, 14 kanë qenë aksidente me fatalitet. Në Klinikën Emergjente thonë se kanë vërejtur rritje të numrit të pacientëve të lënduar në aksidente të tilla me mjete me nga dy rrota.

“Kemi vërejtur një rritje të numrit të lëndimeve prej mjeteve siç janë trotinetet, mandej rritjen e numrit të pacientëve prej lëndimeve me motoçikleta”, pohoi Naser Syla, drejtor i Klinikës Emergjente.

Ekspertët e komunikacionit thonë se pakujdesia e pjesëmarrësve në trafik është ndër faktorët kryesorë që çojnë në aksidente. Sipas tyre, në këtë kategori hyjnë përdorimi i telefonit gjatë vozitjes dhe shpejtësia e lartë.

“Çdo aksident që vjen është vetëm nga moskujdesi. Sa i përket moskujdesit, hyjnë të gjitha, përdorimi i telefonit, shpejtësia e lartë”, tha Lavdim Hamiti, ekspert i komunikacionit.

Ndërkaq, statistikat e policisë tregojnë se në tetë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar 72 aksidente me fatalitet, katër më shumë se në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas raporteve të Policisë, gjatë këtyre tetë muajve, në aksidente trafiku kanë vdekur 77 persona.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër