Siljanovska-Davkova: Ballkani Perëndimor është para Ukrainës dhe Moldavisë në procesin e integrimit evropian

Nga R.ZH
990 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Shkup, 15 qershor, Zhurnal.mk – Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, vlerësoi se iniciativat për kufizimin e përdorimit të vetos në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian përbëjnë një zhvillim pozitiv, por theksoi se është ende herët për të nxjerrë përfundime derisa të publikohen dokumentet zyrtare, përcjell Zhurnal.mk.

Duke komentuar debatet e fundit lidhur me reformat në procesin e zgjerimit të BE-së, Siljanovska-Davkova tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, kanë një përparësi kohore në krahasim me Ukrainën dhe Moldavinë, pasi prej vitesh janë pjesë e proceseve integruese evropiane.

Ajo theksoi se kufizimi i mundësisë së bllokimit të procesit të zgjerimit përmes vetos mund të kontribuojë në rritjen e besueshmërisë së politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian.

Presidentja vlerësoi se pengesat me të cilat përballet Maqedonia e Veriut në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE janë joracionale dhe nuk lidhen drejtpërdrejt me përmbushjen e standardeve evropiane.

Sipas saj, fokusi duhet të rikthehet te kriteret e Kopenhagës, të cilat përbëjnë bazën e procesit të integrimit evropian dhe përfshijnë sundimin e ligjit, funksionimin e institucioneve demokratike, respektimin e të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e ekonomisë së tregut.

Siljanovska-Davkova theksoi se përparimi i vendeve aspirante duhet të vlerësohet mbi bazën e reformave dhe përmbushjes së kritereve të përcaktuara nga Bashkimi Evropian, e jo përmes pengesave politike që mund të ngadalësojnë procesin e zgjerimit.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër