Shkup, 30 qershor Zhurnal.mk – Presidentja e Maqedonisë së Veriut dhe komandantja supreme e Forcave të Armatosura, Gordana Siljanovska-Davkova, priti sot në takim gjeneralin Aleksus Gregori Grinkeviç, komandant suprem aleat i NATO-s për Evropën.
Sipas njoftimit të Kabinetit të Presidentes, vizita zyrtare e gjeneralit në vend është dëshmi e interesimit dhe përkushtimit të NATO-s për ruajtjen e paqes, sigurisë, stabilitetit dhe unitetit në rajon.
Gjatë takimit, Siljanovska-Davkova foli për gatishmërinë e Forcave të Armatosura të Maqedonisë së Veriut për t’u përballur me sfidat e sigurisë, duke theksuar kontributin e dukshëm dhe të vlerësuar të vendit në kuadër të sistemit mbrojtës të NATO-s.
Bashkëbiseduesit nënvizuan gjithashtu rëndësinë e ndërtimit të Korridorit 8, duke vlerësuar se ai ka rëndësi jo vetëm për qëndrueshmërinë rajonale, por edhe për mbrojtjen kolektive të Aleancës.
Nga ana e tij, gjenerali Aleksus Gregori Grinkeviç, i cili udhëheq operacionet ushtarake të NATO-s në Evropë, vlerësoi profesionalizmin dhe përkushtimin e Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut, të dëshmuar përmes pjesëmarrjes në misione paqeruajtëse dhe aktivitete të shumta të Aleancës.
Ai theksoi se historia e suksesshme e Maqedonisë së Veriut meriton të prezantohet në Samitin e ardhshëm të NATO-s, i cili do të mbahet në Ankara.
