Simon Zereci emërohet kreu i ri i Gardës së Republikës

Nga D. V.
586 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 23 qershor, Zhurnal.mk – Simon Zereci është emëruar Drejtor i Përgjithshëm i Gardës së Republikës së Shqipërisë. Zereci mbante postin e kreut të Gardës si i komanduar që prej vitit 2025, kohë kur kreu i asaj kohe, Ermal Onuzi, dha dorëheqjen.

Simon Zereci ka përfunduar shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej” dhe më pas ka ndjekur studimet e larta në Shkollën e Lartë të Bashkuar të Oficerëve, në specialitetin “Gjitharmësh”.

Karrierën ushtarake e nisi në vitin 1986 në strukturat e Ministrisë së Mbrojtjes, fillimisht si Komandant Toge në Repartin Ushtarak Zadrimë, më pas si Shef Stërvitjeje e të tjerë. Në vitin 1988 iu bashkua Gardës së Republikës, ku shërbeu në një sërë funksionesh, si: Komandant Toge; Specialist për Ruajtjen Fizike në Drejtorinë e Sigurisë së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komanant Toge në Kompaninë Operative; Zëvendëskomandant i Kompanisë Operative; Përgjegjës i grupit të shoqërimit të Ministrit të Rendit Publik; Oficer shoqërues pranë Zyrës për Mbrojtjen e Personaliteteve; Shoqërues në grupin mbështetës në Degën e Ruajtjes dhe Mbrojtjes së Personaliteteve të Larta Shtetërore; Komandant Grupi në Njësinë Speciale; e të tjerë.

Që nga viti 2013 e në vijim, ka mbajtur funksionin e Komandantit të Njësisë Speciale në Gardën e Republikës.

Gjatë karrierës së tij të gjatë ushtarake, është dalluar për përkushtimin dhe profesionalizmin e lartë, duke rrezikuar edhe jetën në krye të detyrës. Në shtator të vitit 1998 është plagosur gjatë shërbimit, në krye të detyrës, teksa mbante funksionin e Zëvendëskomandantit të Kompanisë Operative.

Zereci ka kryer një sërë trajnimesh dhe kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit në fushën e sigurisë, si: kurs për mbrojtjen e personaliteteve (VIP) në Egjipt; trajnim për sigurimin e personaliteteve të larta shtetërore me instruktorë amerikanë; program ndërkombëtar sigurie i zhvilluar nga specialistë të sigurisë amerikane; trajnim në teknikat e avancuara të vetëmbrojtjes “Krav Maga Maor”, e të tjerë.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër