Siria është shteti numër 120 që njeh pavarësinë e Kosovës, ka bërë të ditur presidentja Vjosa Osmani.
“Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot në Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës”, shkruan Osmani në Facebook.
Osmani ka falënderuar presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë. Ajo ka falënderuar edhe Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve.
“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë. Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe s’ka asgjë që mund ta ndalë”, shprehet Osmani.
