Skandal me operacionet e syve: 8 të arrestuar, mijëra pacientë dyshohet se paguan dy herë

Nga B.M
A+ A-
Rivendos

Shkup, 29 tetor, Zhurnal.mk – Një skandal i dyshuar financiar në shëndetësinë e Maqedonisë së Veriut ka çuar në arrestimin e tetë personave dhe ngritjen e kallëzimeve penale ndaj 11 individëve dhe një institucioni privat shëndetësor në Shkup, shkruan plusinfo.mk.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, dyshohet se 3.000 deri në 4.000 pacientë kanë paguar për operacione të syve, ndërkohë që të njëjtat shërbime janë faturuar edhe në Fondin e Sigurimit Shëndetësor (FSSH).

Hetimet përfshijnë ish-drejtues dhe drejtues aktualë të Fondit, si dhe përfaqësues të institucionit privat shëndetësor.

Sipas kallëzimit penal, në vitin 2020 është lidhur një kontratë në kundërshtim me procedurat e përcaktuara, ndërsa përmes faturave të dyshuara si fiktive dhe të dhënave të pavërteta janë realizuar pagesa të kontestuara.

Dëmi i dyshuar ndaj Fondit arrin në rreth 1,7 milionë euro, ndërsa institucioni privat dyshohet se gjatë periudhës 2022–2025 ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme rreth 4,25 milionë euro.

Gjatë kontrolleve në Shkup, Tetovë dhe Kumanovë, policia ka sekuestruar rreth 50.000 euro dhe telefona celularë.

Hetimi përfshin dyshime për shpërdorim të detyrës zyrtare, mashtrim, falsifikim të dokumentacionit financiar, punë të pandërgjegjshme në detyrë dhe pastrim parash.

Rasti ngre shqetësime serioze për mbrojtjen e pacientëve dhe kontrollin e shpenzimit të parave publike, ndërsa përgjegjësia penale e personave të përfshirë mbetet për t’u përcaktuar nga organet e drejtësisë. përcjell Zhurnal.mk .

artikuj të ndërlidhura