Berlin, 5 shtator Zhurnal.mk – Skandali rreth të ashtuquajturës “Lista e Coesfeldit” po vazhdon të shqetësojë Këlnin prej më shumë se dy javësh. Në nëntor të vitit 2024, Zyra për të Huajt në Këln mori nga Zyra Qendrore për të Huajt në Coesfeld (ZAB) një listë me 471 emra të personave që kanë detyrim të largohen nga Gjermania. Lista mbeti kryesisht e patrajtuar.
Ndërkohë, ZAB-ja dërgoi në mbarë landin edhe lista të tjera, me gjithsej 1.247 emra. Çfarë ndodhi me këta persona në komunat e tjera?
Nëntë dëbime në Dyseldorf
Lista mbërriti edhe në Dyseldorf në nëntor të vitit 2024 dhe përmbante të dhënat e 56 personave që kishin detyrim të largoheshin nga Gjermania, si dhe ofertën për ndihmë në sigurimin e dokumenteve zëvendësuese të pasaportës për realizimin e dëbimeve.
Falë kësaj oferte nga Coesfeld, nëntë persona u dëbuan nga Gjermania. Për persona të tjerë, dëbimi deri tani nuk ka qenë i mundur për arsye të ndryshme, bëri të ditur qyteti i Dyseldorfit për WDR.
Bochumi, Dortmundi dhe Munsteri me shifra të ulëta
Zyra për të Huajt në Bochum mori të dhënat për 12 persona që kishin detyrim të largoheshin nga Gjermania. Për tre prej tyre nisën procedurat për sigurimin e dokumenteve zëvendësuese të pasaportës. Megjithatë, nga përgjigjja e qytetit të Bochumit nuk bëhet e qartë nëse më pas u realizuan dëbimet.
Në Dortmund nuk u realizua asnjë dëbim, edhe pse Coesfeld kishte raportuar dhjetë persona, mes tyre edhe tre të mitur.
Në Zyrën për të Huajt në Munster u dërguan një numër i vogël, dyshifror, rastesh. Megjithatë, qyteti thotë se këta persona ishin caktuar gabimisht në listë.
Ndërkohë, qytetet Duisburg, Neuss, Krefeld, Düren dhe Heinsberg nuk morën asnjë listë nga Coesfeld.
Paqartësi rreth mënyrës së dërgimit të listave
Aktiviteti relativisht i ulët pas pranimit të listës së Coesfeldit mund të lidhet edhe me mënyrën se si ajo iu dërgua autoriteteve.
Lista ishte përgatitur pak pas sulmit në Solingen dhe u dërgua drejtpërdrejt te zyrat për të huajt të komunave.
Sipas drejtoreshës së qytetit të Këlnit, Dörte Diemert, kjo mënyrë e dërgimit shkaktoi paqartësi. Qyteti i Këlnit iu drejtua Qeverisë së Qarkut të Këlnit për të pyetur rreth kanaleve zyrtare të komunikimit.
Në përgjithësi, kërkesat zyrtare drejtuar administratave komunale kalojnë përmes ministrisë përkatëse dhe qeverive të rretheve.
Lista e Zyrës Qendrore për të Huajt në Coesfeld përbëhet nga 21 faqe A4 të mbushura me tekst të dendur. Në të janë emrat e 471 personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në Gjermani. Bëhet fjalë për migrantë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët kanë detyrim të largohen nga vendi. Mes tyre ka edhe persona me dënime të përsëritura penale, përdhunues dhe persona të akuzuar për dhunë. Megjithatë, ata ende ndodhen në Gjermani.
Në vend që t’i dëbonte, qyteti i Këlnit thuhet se preferoi t’i “integëronte” – ndërsa listat, sipas raportimeve, duket se janë zhdukur. Një skandal i jashtëzakonshëm institucional!
BILD ka shqyrtuar dokumentet rreptësisht konfidenciale. Veprat penale, roli që dyshohet se ka luajtur një klan famëkeq dhe çfarë pasojash mund të përballen tani zyrtarët përgjegjës në administratë, mund t’i lexoni ekskluzivisht në BILDplus.
Artikujt në gjuhën gjermane:
https://www1.wdr.de/nrw/koeln/koeln-abschiebeskandal-coesfelderliste-andere-kommunen-100.html
https://www.bild.de/regional/koeln/koelner-asylskandal-das-ist-die-abschiebeliste-die-keiner-lesen-wollte-6a955200ec27d32fb526a877
