Shkup, 25 qershor – Guvernatori i Bankës Popullore, Trajko Sllaveski, shpreson se bankat që kanë paralajmëruar rritje të tarifave do t’i rishqyrtojnë këto vendime dhe do t’u dalin në ndihmë qytetarëve.
Në seancën e sotme parlamentare për pyetjen e deputetëve, Sllaveski, në përgjigjen e pyetjeve të parashtruar nga Jovan Mitreski nga LSDM-ja, tha se qëndrimi i tij personal është se nuk ka asnjë justifikim për një rritje të tillë.
“Mendoj se bankat do të reagojnë ndaj asaj që është ndjesia e opinionit publik. Megjithatë, bëhet fjalë për një shërbim esencial, shërbim me interes publik. Pra, bankat janë në një pozitë të privilegjuar në krahasim me ofruesit e tjerë të pagesave, sepse sipas ligjit të gjitha pagesat e pagave, pensioneve dhe pagesat e tatimit mbi të ardhurat kalojnë përmes llogarive transaksionale që ndodhen në banka. Sigurisht, duhet ta kenë parasysh këtë”, Trajko Sllaveski.
Ai njoftoi se nga tre bankat e mëdha dhe një bankë e mesme që kishin paralajmëruar rritje të tarifave, një bankë e madhe tashmë e ka shtyrë zbatimin e këtij vendimi për dy muaj, për të rishqyrtuar pasojat e mundshme të zbatimit të tij.
Ai theksoi gjithashtu se janë duke u zhvilluar bisedime me Asociacionin e Bankave të Maqedonisë për zgjerimin e funksioneve të të ashtuquajturave llogari pagesash për funksione bazë. Një nga opsionet për tejkalimin e situatës, sipas Sllaveskit, është edhe t’i jepet më shumë kompetencë bankës qendrore në rregullimin e tarifave që bankat i ngarkojnë. Shembuj të tillë, sipas tij, ekzistojnë edhe në vendet e rajonit dhe në botë.
