Tiranë, 18 maj, zhurnal.mk – Komuniteti i muzeve në mbarë botën shënon sot Ditën Ndërkombëtare të Muzeut.
Në kuadër të kësaj jave, në vendin tonë hyrja nëpër muze do të jetë falas në datat 18 maj, në Ditën Ndërkombëtare të Muzeve, si dhe më 21 maj, në Ditën Botërore për Diversitetin Kulturor për Dialog dhe Zhvillim.
Dita Ndërkombëtare e Muzeut u jep mundësinë profesionistëve të muzeve të takojnë njerëz dhe t’i informojnë ata rreth sfidave me të cilat përballen muzetë.
Në Shqipëri, përgjatë gjithë javës, në muze dhe site kulturore në mbarë vendin do të zhvillohen aktivitete që synojnë afrimin e publikut me historinë, identitetin dhe vlerat tona kulturore, duke e kthyer kulturën në një përvojë të hapur, gjithëpërfshirëse dhe frymëzuese për të gjithë.
Kështu është konceptuar kjo javë edhe nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Nga data 18 deri më 24 maj, muzetë, parqet arkeologjike dhe hapësirat e trashëgimisë kulturore në të gjithë Shqipërinë bëhen pjesë e Javës së Muzeve 2026, duke mirëpritur qytetarët dhe vizitorët në një program të pasur me aktivitete kulturore, ekspozita, guida, performanca artistike dhe eksperienca edukative.
Këshilli Ndërkombëtar i Muzeve ka themeluar këtë ditë në vitin 1977 për të rritur vetëdijen e publikut për rolin e muzeve në zhvillimin e shoqërisë.
