Tiranë, 14 gusht, Zhurnal.mk – Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia deklaroi sot se koncesioni i hemodializës nuk i zgjidh problemet e qytetarëve, por krijon skema klienteliste dhe kontrata të kushtueshme që rëndojnë mbi xhepat e shqiptarëve.
Në një deklaratë për medie, Spahia u shpreh se “përpara këtij koncensioni ekzistonte një modeli i decentralizuar, fleksibël dhe konkurrues, ku spitalet publike ofronin shërbimin aty ku kishin kapacitet”. Ndërkohë, sipas tij, “nevoja plotësohej nga operatorë privatë të licensuar, të kontraktuar dhe të paguar nga FSDKSH”.
“U ndryshua modeli, duke u kaluar nga një sistem i decentralizuar dhe me kontraktim periodik në një kontratë 10-vjeçare, të centralizuar dhe të përqendruar në një operator të vetëm. Ndonëse në procedurën morën pjesë disa operatorë, përzgjedhja e fituesit ende sot ngre pikëpyetje serioze”, shtoi ai.
Sipas Spahisë, kompania e përzgjedhur nuk dha ofertën më të ulët, por ishte 11,1% më e lartë se oferta më e ulët.
Ndërkohë, Spahia theksoi se zbatimi i koncesionit ka prodhuar gjithashtu abuzime dhe kosto të pajustifikuara për buxhetin.
“KLSH ka konstatuar raste ku koncesionari ka faturuar shërbime për periudha kur qendrat e dializës nuk ekzistonin ende dhe kur shërbimi vazhdonte të ofrohej nga spitalet publike. Pra, shteti paguante koncesionarin, ndërkohë që për të njëjtët pacientë shërbimi ofrohej nga spitali publik me fondet e veta”, tha Spahia.
Por, sipas deputetit demokrat “hemodializa nuk është një rast i izoluar dhe të gjitha kontratat koncesionare në shëndetësi vazhdojnë të konsumojnë qindra-milionë euro nga paratë publike, ndërkohë që sistemi shëndetësor shqiptar përballet ende me mungesë kapacitetesh, pajisjesh, personeli dhe shërbimesh cilësore”.
“Ky koncesion ka qenë prej vitesh objekt shqyrtimi dhe hetimi. Por shqiptarët ende nuk kanë parë drejtësi për një skemë që ngre kaq shumë pikëpyetje mbi mënyrën e përzgjedhjes, lidhjet e subjekteve, zbatimin e kontratës dhe përdorimin e parave publike”, theksoi ai.
Spahia u shpreh se PD nuk kërkon një drejtësi selektive. “PD kërkon që drejtësia të hetojë deri në fund çdo hallkë të kësaj skeme: nga vendimmarrja politike, te procedura e tenderimit, pikëzimi i ofertave, krijimi i strukturës koncesionare, përfituesit realë dhe çdo pagesë e kryer nga paratë e shqiptarëve”, tha Spahia.
Sipas tij, “PD e konsideron koncesionin e hemodializës një nga shembujt e modelit klientelist që duhet të marrë fund”.
