Spahiu: Receta elektronike në sistemin e farmacive, nis vlerësimi i kategorive vulnerabël

Nga D V
14 e lexuar
A+ A-
Rivendos

Tiranë, 22 shtator, Zhurnal.mk – Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu zhvilloi një takim me Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor në Durrës, ku theksoi rëndësinë e një kujdesi shëndetësor më pranë qytetarëve dhe të koordinimit më të mirë të shërbimeve në funksion të pacientit.

Gjatë takimit, Spahiu u shpreh se puna për përmirësimin e kujdesit shëndetësor kërkon angazhim dhe bashkëpunim të përditshëm, me fokus në adresimin konkret të nevojave të pacientëve.

Gjatë takimit u diskutua edhe për përdorimin e teknologjisë në shërbimet shëndetësore. Spahiu bëri të ditur se, nëpërmjet AKSHI-t, kodi i recetës elektronike do të jetë i integruar në sistemin e farmacive, duke synuar më shumë transparencë dhe lehtësi për qytetarët.

Një tjetër fokus i diskutimit ishte vlerësimi i fëmijëve me probleme të spektrit të autizmit, si dhe personave të moshës së tretë që ndodhen në qendra rezidenciale, të cilët u cilësuan si kategori vulnerabël.

Sipas Spahiut, vlerësimi i këtyre kategorive po nis në të gjithë vendin dhe pritet të shoqërohet me një protokoll të përcaktuar, në mënyrë që pas vlerësimit pacientëve t’u ofrohet edhe rruga e duhur e trajtimit dhe shërbimit, pa u kufizuar vetëm në orientimin drejt një strukture tjetër shëndetësore.

Spahiu foli edhe për ndërhyrjet në shërbimet pediatrike, duke theksuar se për raste akute mund të ndërmerren ndërhyrje të posaçme, sipas moshës dhe nevojave të pacientëve.

“Puna për një kujdes shëndetësor më pranë qytetarit kërkon angazhim, bashkëpunim dhe përkushtim çdo ditë”, tha Spahiu, duke nënvizuar synimin për një rrugë më të thjeshtë, më të koordinuar dhe më njerëzore për pacientin.

artikuj të ndërlidhura

Kjo faqe interneti përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni dakord me këtë, por mund të çregjistroheni nëse dëshironi. Pranoj Lexo më tepër